Manjani bën apel: Drejtësia në
kaos, ndërhyni sa më shpejt

10 Nëntor 2017, 16:49| Përditesimi:

  • Share
Ish ministri i Drejtësisë , Ylli Manjani,  me anë të një postimi në rrjetin e tij social  Facebook ka apeluar ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta, dhe ndaj kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit që të shpejtojnë  në formimin e institucioneve  të reja të drejtësisë.

Manjani thekson se pushteti gjyqësor është në kaos dhe pothuajse joekzistent, prandaj sipas tij duhet ndërhyrë sa më parë, sepse misioni i EURALIUS  nuk do të zgjedhë , Prokurorin e Pergjithshëm dhe atë të SPAK, Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, Inspektorin e Përgjithshëm e kështu me radhë, pasi misioni i tyre është vëzhgues dhe jo interpretues. Statusi i tij ka marrë shkas edhe nga takimi i Presidentit  Meta me komisionerin  Hahn.

Statusi i plotë i ish-ministrit Manjani në Facebook:

Besimi te shteti nuk importohet.
——————-
Më bëri përshtypje kjo shprehje në njoftimin zyrtar të Presidencës, pas takimit me Johanes Hahn:

“Ai (Presidenti) kërkoi vëmendjen e posaçme të ekspertëve të EURALIUS që asistojnë në këtë proces, për interpretimin e saktë të legjislacionit në interes të krijimit sa më të shpejtë e të besueshëm të institucioneve të reja të drejtësisë.”
——————-
Kushtetuta dhe ligjet e çdo vendi interpretohen vetëm nga organet që i zbatojnë dhe jo nga ekspertët!

Nuk ka asnjë teori apo praktikë në Jurisprudencë që të anashkalojë Institucionet publike të shtetit e ti zëvendësojë me ekspertë, qofshin dhe të huaj! Ekspertët mund të japin një mendim, kur ju kërkohet, por jo të bëjnë interpretim të ligjeve.

Interpretimi bëhet përgjatë zbatimit të ligjeve dhe kur ka konflikte në interpretim, janë gjykatat (Gjykata Kushtetuese, në këtë rast) ato që bëjnë interpretimin përfundimtar të ligjeve.

Askush tjetër përveç gjykatës! As EURALIUS e as vetë Hahn-i!

Prandaj Presidenti dhe Kuvendi bëjnë mirë të mbledhin mendjen e të fillojnë të zbatojnë Kushtetutën e ndryshuar dhe të ngrenë sa më parë institucionet e reja!

Sa më shpejt, sepse pushteti gjyqsor është në kaos e thuajse jo ekzistent!

Prokurorin e Pergjithshëm dhe atë të SPAK, Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, Inspektorin e Përgjithshëm e kështu me radhë nuk do ti zgjedhë as EURALIUS e as kush tjetër, përveç se Kuvendit dhe Presidentit.

Ka arritur aty ku nuk mban më! Duhet veprim sa më i shpejtë!

Improvizimet me caktime emrash të përkohshëm apo zgjatje faktike mandatesh, çojnë në humbjen e besimit tek institucionet e reja!

Besimi ose krijohet nga procesi i rregullt e i shpejte, ose humbet!

Ai nuk importohet!

Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?