Presidenti Ilir Meta në Maltë gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit Ferrugia dhe Kryeministrin Muscat

Meta pritet nga Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri maltez

27 Mars 2018, 15:17| Përditesimi: 27 Mars 2018, 15:25

  • Share

Në ditën e dytë të vizitës shtetërore, Presidenti i Republikës,  Ilir Meta, zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Maltës, Anglu Ferrugia dhe Kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat.
Presidenti i Republikës rikonfirmoi edhe një herë vullnetin e Shqipërisë për të intensifikuar marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes të përbashkët me Maltën.
Përveç mirënjohjes për mbështetjen e Maltës për Shqipërinë në axhenden e saj të integrimit europian, Presidenti Meta i shprehu kryeparlamentarit dëshirën për të thelluar kontaktet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy Parlamenteve.

Presidenti Meta vlerësoi se krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Maltë, do të ishte një mekanizëm nxitës për njohjen më të mirë të zhvillimeve dhe arritjeve në secilin vend, dhe do të përshpejtonte nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike dhe tregtare për të dy vendet.
Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve tona në kuadër të “Unionit për Mesdheun”.

Presidenti Meta dhe Kryeministri Muscat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve në këtë përvjetor të 45-të dhe nënvizuan mundësitë për për t’i intensifikuar më tej ato, veçanërisht në fushat ekonomike dhe kulturore.

Presidenti Meta theksoi se Malta mbetet një mbështetëse e fortë e perspektivës evropiane të Shqipërisë, duke shprehur besimin se përkrahja e saj nuk do të mungojë dhe procesin e rëndësishëm e të shumëpritur të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Presidenti Meta shprehu interesin për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, duke nisur sa më shpejt me krijimin e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik, me fokus sektorët si turizmi, energjetika, infrastruktura, sektori finaciar, teknologjia e informacionit, industria detare dhe logjistika portuale etj.

Presidenti Meta ftoi kompanitë malteze të eksplorojnë potencialet investuese të Shqipërisë, e cila mund të shërbejë edhe si një portë hyrëse për zgjerimin e biznesit së tyre në rajonin e Ballkanit.
Gjithashtu, Presidenti Meta dhe Kryeministri Muscat ndanë të njëtin qëndrim që Shqipëria dhe Malta kanë potencial bashkëpunimi edhe në projekte të përbashkëta në kuadër të programit transnacional të BE-së Mediterranean 2014-2020, në fushën e inovacionit, turizmit, mjedisit, transportit detar etj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?