‘Mallkimi’ i Ministrisë së Brendshme, Balla drejtuesi i 6 në 10 vite qeveri ‘Rama’! Bledi Çuçi, i vetmi i shkarkuar! Dorëheqjet e Tahirit, Xhafajt dhe Lleshaj dhe Demiraj i PD në mes

10 Korrik 2023, 10:59| Përditesimi: 10 Korrik 2023, 16:43

  • Share

Posti i ministrit të Brendshëm mund të konsiderohet pa ‘frikë’ si portofoli më i ‘mallkuar’ në kabinetet qeverisë në Shqipëri. Në vetëm 31 vite demokraci vendi ka pasur më shumë se 25 ministra të Brendshëm. I vetmi që ka bërë thuajse një mandat të plotë në krye të këtij dikasteri ka qenë Sajmir Tahiri, i cili mban edhe rekordin si më jetëgjati.

Në më pak se 10 vite qeveri ‘Rama’ deri më tani janë 6 personazhet që janë ulur në kolltukun e ministrit të Brendshëm, nëse do të numëronim edhe Taulant Ballën i cili pritet ta marrë brenda pak ditëve postimin pas firmosjes së dekretit nga Presidenti. Më parë kanë qenë Saimit Tahiri, Fatmir Xhafaj, Dritan Demiraj, Sandër Lleshaj dhe Bledi Çuçi. Ky i fundit është i vetmi i shkarkuar ndërkohë që 4 të parët kanë dhënë dorëheqjen për arsye të ndryshme. Ndërsa njëri prej tyre, Sajmir Tahiri, ka përfunduar në burg.

Çuçi, i vetmi i shkarkuar! Vjen Balla
Dy ditë pas ngjarjes së rëndë të dhunës makabre të fisit Rraja ndaj Bilbil dhe Jashar Majës, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shkarkua nga Kryeministri Rama. Çuçi u bë i pari drejtues i këtij dikasteri që shkarkohet nga Rama. Edhe pse nuk ka pasur një sqarim shterues mbi motivet e shkarkimit, dalja në skenë e  lidhjeve të policisë së Krujës me familjen Rraja, gjë që çoi në ‘shkrirjen’ e një komisariati të tërë, është arsyeja kryesore e këtij vendimi. 40 denoncime nga qytetarët për dëmet e shkaktuara nga gurorja e Rrajave nuk ishin marrë seriozisht por flinin në sirtarët e policisë. Çuçi është ‘koka’ tjetër e prerë e kësaj ngjarje që tronditi opinionin publik.  Rama njoftoi shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Taulant Ballës në vend të tij.

Bledi Çuçi u emërua në pozicionin e Ministrit të Brendshëm në dhjetor të vitit 2020, ndërkohë që u rimandatua në shtator 2021. Më parë ai ka mbajtur postet qeveritare të ministrit të Bujqësisë dhe  ministër Shteti për Çështjet Vendore. Ndërsa Taulant Balla, i cili pritet të jetë ministër i Brendshëm do ta ketë postin e parë në një kabinet qeveritar.

Ikën Lleshaj, vjen Çuçi
Ish-Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen më 10 dhjetor të vitit 2020, pas gati 2 javë protestash pas vrasjes së të riut Klodian Rasha më 8 dhjetor të atij viti nga një efektiv i policisë.  Për këtë ngjarje qytetarët në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit zhvilluan protesta të shumta, disa prej të cilave edhe të dhunshme. Dorëheqja e Lleshajt u konsiderua atëherë nga Kryeministri Rama një akt që meriton respekt, ndërsa u duartrokit edhe nga faktorë të tjerë. Lleshaj u emërua ministër i Brendshëm në tetor të vitit 2018, pas dorëheqjes së ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ai më parë kishte mbajtur për 5 vite detyrën e Këshilltarit të Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare.

Ikën Xhafa vjen Lleshaj
Më 27 tetor 2018 është dorëhequr nga posti i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Dorëheqja u pranua nga kryeministri Edi Rama bashkë me falënderimet për kontributin që ky i fundit kishte dhënë në krye të dikasterit më të rëndësishëm të vendit. Dorëheqja e Xhafajt ishte më e diskutuara dhe më e papritura për opinionin publik. Arsyeja kryesore për shkaqet që mund ta kenë shtyrë atë drejt dorëheqjes në një moment të papritur, aq më tepër që Xhafaj i rezitoi për një kohë të gjatë akuzave të ngritura çështja “Babale”, që më pas rezultoi një stisje, ishin akuzat e opozitës për lidhjet e vëllait të tij me krimin. Kujtojmë se vëllai i Xhafajt u largua atëherë drejt Italisë për të vuajtur një dënim me burg.

Ndërrimi Xhafaj-ministri ‘teknik’
Nga 24 Maj 2017 deri më 22 Shtator 2017 në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Dritan Demiraj. Ai përfaqësoi Partinë Demokratike në atë që u quajt qeveria me ministra teknikë, zgjedhjet e vitit 2017, në bazë të marrëveshjes së famshme të 17 majit mes kreut të mazhorancës Rama dhe kreut të atëhershëm të opozitës, Lulzim Basha.  Dritan Demiraj zëvendësoi në detyrën e ministrit të Punës të Brendshme Fatmir Xhafajn, i cili u riktheu në detyrë me Qeverinë e re Rama pas 4 muajsh.

Ikën Saimir Tahiri, emërohet Xhafaj
Ministri i parë i Punëve të Brendshme i mazhorancës socialiste, e cila është prej 10 vitesh në pushtet, ishte Saimir Tahiri. Ai është futur në histori si ministri më jetëgjatë i dikasterit të Brendshëm, në këto 31 vite demokraci, duke u bërë i vetmi që ka plotësuar thuajse një mandat të plotë, nga 17 Shtator 2013 deri më 19 Mars 2017. Marsin e vitit 2017 Tahiri dha dorëheqjen pas akuzave të shumta për lidhje me grupe të ndryshme kriminale dhe abuzim me detyrën. Sajmir Tahiri më pas u arrestua dhe më 4 shkurt të vitit 2022 Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal".Ai aktualisht po e vuan pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi, me kusht.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 11/07/2023 02:05

    Eshte posti me i mallkuar ne gjithe hist.e shtetit shqiptar,burgime,shkarkime,pushkatime.Ne kete liste duhet te vendosnit te gjithe ministrat e brendshem qe nga 1912-sot dhe fatet e tyre.

    Përgjigju
  • Policia qe duam: 10/07/2023 15:39

    Nga te gjithe keta vetem Sajmir Tahiri beri polici. Sja mbante b*tha te ngiste me telefon ne vesh, pa rrip apo pa kaske motorri. Shikoji sot ne mes Tirone sve njeri kaske apo rrip. Sajmiri vuri ne rrjesht deputete dhe vipa e sja hante se kush ishe. Duhet prap ai ne krye te rendit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?