Makina përplasi 4-vjeçarin në Elbasan, banorët ngrihen në protestë: Rruga pa sinjalistikë, fëmijët i kemi të rrezikuar! Nuk ka dëgjohet zëri

20 Tetor 2022, 13:08| Përditesimi: 20 Tetor 2022, 13:38

  • Share

Pas aksidentit të regjistruar pasditen e së mërkurës në lagjen “5 maji” ku një mjet përplasi një fëmijë 4-vjeç teksa po kalonte rrugën, komuniteti i asaj lagjeje u ngrit sot në protestë.

Të prekur nga ngjarja e rëndë dhe të shqetësuar për jetën e fëmijëve të tyre, banorët kërkuan ndërhyrje në infrastrukturë dhe sinjalistikën rrugore. Fakti që aty pranë ndodhet Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor bën që të jetë një rrugë me lëvizje intensive.

Sipas banorëve vendosjen e policëve në rrugë e kanë kërkuar disa herë , por asnjë masë nuk është marrë nga pushteti vendor, për të cilën thonë se kujtohet për ta vetëm në kohë fushate.

“Kemi një problem të madh. E kanë bërë rrugë mirë, por nuk kanë bërë bordurat, fëmija ka dalë me vrap nga shtëpia dhe këtu. E kemi shumë problem për të këto bordurat. Kjo është e dyta  herë. Gjithë lagja ka bërë ankesë, e kemi bërë të ditur dhe në bashki, asnjë se ka vënë dorën në zemër. “, u shpreh një banor i zonës.

“Fëmija merr lekët dhe ikën dyqan, nuk i dinë vizat bardha, makinat duhet të ecin ngadalë. Mbrëmë e kapi çunin dhe e përplasi. Është tronditur në tru, në kafkë, kemi qenë në spitalin Ushtarak, gjendja e tij është e keqe.”, tha një tjetër banor.  

"S’bëjnë për romët asgjë, kërkojmë bordurat për rrugën, kemi bërë kërkesa, këtu nuk bëhet asgjë.”, thotë një tjetër person.

Përfaqësuesi i komunitetit Rom, avokati Gentian Sejrani pohoi se një drejtori si ajo e Kontrollit Teknik të mjeteve, e cila ndodhet në këtë lagje, nuk duhet të jetë kurrsesi pranë një zone të banuar si kjo. 

“Shqetësimi i kësaj lagje, është se shumë afër ndodhet dhe Kontrolli Teknik i Automjeteve. Nuk duhet që në një  zonë që ka shumë banorë,  një nga lagjet më  të populluar të Elbasanit e të ndodhet ky institucion, që me patjetër do ketë një lloj ngarkesë të rënduar trafiku, për aq më shumë që nuk ka asnjë lloj sinjalistike, që të vendoset e të marri në mbrojtje këta qytetarë. Ne duhet të shtyjmë  dhe të nxisim ndryshimin e kësaj vendodhjeje të Kontrollit Teknik.” , shprehet avokat Sejrani.

4-vjeçari i aksidentuar një ditë më parë është transportuar për kurim të specializuar në kryeqytet, në spitalin Ushtarak, ndërsa pas aksidentit banorët e pranishëm qëlluan me gurë mjetin që drejtohej nga 26-vjeçari që shkaktoi aksidentin,  i cili është arrestuar tashmë.

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?