Magjia e Luginës së Valbonës në pritje të 300 mijë turistëve këtë verë, çelet sezoni turistik

14 Qershor 2022, 20:51| Përditesimi: 14 Qershor 2022, 21:04

  • Share

Nën gumëzhimën e këngëve dhe valleve tradicionale të zones,  Lugina e Valbonës, në Tropojë çeli zyrtarisht sezonin turistik veror 2022. Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi tha se janë marrë të gjithë masat dhe se Valbona do të ketë një sezon turistik të suksesshëm pasi ka një rritje të interesit nga vizitorët e huaj këtë vit.

E njohur si perla e turizmit malor të Ballkanit, gjendur mes Alpeve shqiptare, me bukuritë e natyrës dhe atraksionet e rralla, Lugina e Valbonës çeli zyrtarisht sezonin turistik veror 2022.

Këngët, vallet tradicionale, prodhimet artizanale dhe gastronomia e Tropojës bashkoi qindra vizitorë vendas e të huaj në një ditë festive të vërtetë në parkun Kombëtar të Valbonës.Për kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi, me marrjen e masave nga ana e Bashkisë së qytetit, sezoni turistik këtë vit në Valbonë pritet të jetë premtues dhe i suksesshëm…

“Kemi marrë të gjitha masat si në shëndetësi, ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Gjej rastin të falënderoj të gjithë komunitetin e mbarë Tropojës që ka pritur dhe përcjellë dhe gjithë këto vite që kanë kaluar nuk kanë hasur asnjë incident por turistët si të huaj dhe shqiptarë kanë gjetur mikpritjen dhe vazhdojnë ta gjejnë. Bashkia e Tropojës ka marrë të gjitha masat që ky sezon turistik të jetë sa më i mirë sa më fitim prurës", tha Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi.

Me një shtrirje që nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, Parku kombëtar i Valbonës është i preferuar për turistët vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit. Në të dyja anët përreth Luginës së Valbonës, janë ngritur me dhjetëra bujtina e hotele, ndërsa pritet që këtë vit të vizitohet nga rreth 300 mijë vizitorë.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?