Erion Veliaj, Lulzim Basha dhe Taulant Balla

Basha darkë me Veliajn dhe Ballën? Reagon PD: Lajmi i pavërtetë, kryedemokrati ishte me bashkëshorten për ngushëllim

21 Dhjetor 2021, 18:40| Përditesimi: 21 Dhjetor 2021, 18:44

  • Share

Një lajm është publikuar në rrjet nga portali i familjes Berisha, sipas të cilit kryedemokrati Lulzim Basha është takuar me kryebashkiakun Erion Veliajn dhe deputetin e PS, Taulant Balla për një darkë në një hotel në Tiranë. Në lidhje me këtë lajm, ka reaguar edhe PD-ja zyrtare.

Sipas këtyre të fundit, lajmi që ka qarkulluar është i pavërtetë ndërsa PD sqaron se Lulzim Basha së bashku me bashkëshorten, Aurelën, nuk kanë qenë në asnjë takim apo darkë në hotel ‘Prestige’, por kanë shkuar atje për të ngushëlluar familjen Hysenbelliu, për shkak të ndarjes nga jeta të kryefamiljares së tyre.

Ndër të tjera në reagim thuhet se media e cila ka publikuar këtë lajm ka degraduar për hallin personal të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Shpifjet e Syrit të Sali Berishës vazhdojnë edhe sot, me lajme të sajuara turpshëm dhe që synojnë të fshehin të vërtetën që sot e di çdo demokrat, që Sali Berisha po tenton të dëmtojë PD për interesin e tij personal. Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, nuk kanë qenë në asnjë takim apo darkë në hotel “Prestige”, por kanë qenë atje për ngushëllim në familjen Hysenbelliu, për shkak të ndarjes nga jeta të kryefamiljares së tyre të shtrenjtë. Degradimi i një media personale për hallin personal të Sali Berishës shfaq edhe njëherë përpara çdo demokrati dhe qytetari shqiptar, se vendimi i Partisë Demokratike për të zgjedhur të ardhmen dhe për të lënë pas të shkuarën, është interes madhor i demokratëve dhe Shqipërisë.”-thuhet në reagimin e PD.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?