Luli Bitri, aktorja më e mirë në
Itali me rolin e një vaje rome

1 Maj 2013, 06:40| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Luli Bitri, aktorja protagoniste në filmin "Dimmi che destino avrò" nga Peter Marcias's, është vlerësuar me Çmimin “Aktorja më e Mirë” në “BA film festival” në Itali.

Pas famës që i dha aktores shqiptare suksesi i filmit “Amnistia” me regji të Bujar Alimanit, ajo merr një tjetër vlerësim edhe në “BA film festival”, ku konkurronte filmi i Michele Placidos që fitoi si “Filmi më i Mirë”, e vetë Placido aktori në filmin “Baaria” i Tornatores fiton Çmimin “Aktori më i mirë”.

Michele Placido fiton Çmimin “Aktori më i mirë i TV dhe Fiction”. Aktorja e njohur Luli Bitri, që konkurroi me filmin “Dimmi che destino avrò” të Peter Marcias ishte protagonistja e filmit, partnere me aktorin e filmit “Gomorra” të Garrones.

Në filmin italian ku u vlerësua dhe aktorja më e mirë, ajo luan rolin e Alinës, një vajzë rome që e kthyer për ca kohë pranë njerëzve të saj, bën hesapet jo vetëm me të tjerët por edhe me veten, emocionet e saj më të thella, ëndrrat, dëshirat, me vetë identitetin e saj.

“Roli im ishte i një vajze me origjine rome, që jeton e punon në Paris. Një personazh në krizë identiteti që nuk mohon rrënjët e saj, por proteston për të drejtat e më të dobëtëve”, tregon aktorja mbi rolin më të fundit të saj në kinemanë italiane.

Por jo pak e entuziazmuar ajo ndihet dhe nga pjesëmarrja dhe vlerësimi në këtë festival. “Sigurisht që më gëzoi çmimi, por ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë për realizimin e filmit”, tregon aktorja.

Për publikun shqiptar Luli Bitri është jo pak e njohur jo vetëm në skenën teatrore, por dhe në disa prej filmave më të vlerësuar shqiptar. Aktore kinemaje, teatri, dubluese, për disa vjet zë zyrtar i një televizioni, sot jeton mes Torinos, Romës e Tiranës, nga një casting në tjetrin, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri.

Luli Bitri luan rolin e një vajze me origjinë rome e cila ka jetuar për vite në Paris. Pas kthimit në banesën e prindërve, pranë Cagliarit, takohet me komisarin e policisë së qytetit, i cila ishte ngarkuar me hetimin e një rasti të rrëmbimit brenda kampit.

Një miqësi zhvillohet mes të dyve, mbi të cilën bazohet gjithë intriga e filmit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?