‘Lulet e Pranverës’ ‘çelin’ në Teatrin e Operas, Kastriot Tusha dhe Aranit Hoxha rrëfejnë koncertin

21 Mars, 17:54| Përditesimi: 21 Mars, 18:16

  • Share

Nis me dedikim për nënën koncerti “Lulet e Pranverës”...

“Ku ka më bukur se sa ti këndosh nanës”, thotë solisti i Ansamblit Aranit Hoxha.

I ideuar gjatë pandemisë, recitali i dy solistëve Kastriot Tusha e Aranit Hoxha, u jetësua për herë të parë në skenën e Teatrit të Operas këtë mesjavë, për ta shijuar edhe publiku.

“Jo pa qëllim e zgjodhëm në muajin mars, në muajin më të bukur të vitit, kur çel lulja, është Festa e Nënës, e Ditës së Verës..., dhe e titulluam ‘Lulet e pranverës’. Ky si koncert u mbajt gjatë pandemisë, por jo me spektatorë dhe ne na kishte mbetur merak”, thotë tenori Kastriot Tusha.

Dikur pedagog-student, dy tenorët, Tusha e Hoxha rrëfejnë bashkëpunimin mes tyre.

“Ka qenë student i imi, krenohemi me Aranitin sepse me të vërtetë e meriton emrin si solist i Ansamblit të Shtetit.”, thotë Tusha.

“E kam filluar bashkëpunimin e parë me të në koncertin e ‘Tre tenorëve’ ku kam qenë student me të në Akademinë e Arteve dhe e kemi vijuar me një sërë aktivitetesh të tjera. Dhe, për çdokënd, bashkëpunimi me një artist si Kastriot Tusha do të ishte nder dhe privilegj shumë i madh”, shton Hoxha.

Përmes kostumeve, këngëve e valleve, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ‘feston’ me traditën muajin e pranverës, gruas, mësuesit. Orkestra, solistët, Grupi i Valleve dhe ai Koral i Ansamblit, përshkojnë Shqipërinë përmes një repertori të pasur dhe bëjnë publikun pjesë të spektaklit.

Koncertit iu bashkuan edhe solistët Lekë Pecnikaj, Malvina Likaj, Raimond Kllogjeri, Adela Bezhani dhe Irini Nikolla. Recitali “Lulet e Pranverës” risolli këngët më të bukura popullore, larmishmëri vallesh dhe etnografinë e vendit tonë.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?