Luleshtrydhja e Frakullës shitet në tregjet europiane, fermerët rrisin prodhimin, afro 75 mijë kuintal në sezon

11 Mars 2023, 20:15| Përditesimi: 11 Mars 2023, 20:28

  • Share

FIER- Është sezoni i vjeljes së luleshtrydhes dhe fermerët e Frakullës janë në kulmin e punës. Prodhimi është i mbarë dhe cilësor ndaj tregun e kanë të siguruar.

 “Kam 4 dynym sera luleshtrydhe. Me këto mbaj familjen. E kam biznes familjar. Marr edhe dy-tre punëtorë kur kam punë. Deri tani mirë kundrejt vitit të kaluar. Po të mbaj edhe një muaj kështu besoj mirë do jemi. Shyqyr Zotit kemi disa tregtar që na i marrin dhe ka disa pika që i grumbullojnë”, tha fermeri Artur Lanaj.

“Çdo fermer këtu ka nga një hektar luleshtrydhe. Unë vetë kam 8 dynym. Sivjet prodhimi është shumë i mbarë por edhe çmimi deri tani është i arsyeshëm. Nga viti i kaluar ka shumë ndryshime”, thotë fermeri Melsi Hamataj.

Aktualisht në Frakull luleshtrydhja tregtohet me shumicë 210 deri në 240 lek për kg, por vetëm 15% e prodhimit mbetet për tregun vendas.

Kryetari i njësisë vendore, Dashnor Troka tha për Report TV se 85% e prodhimit shkon për tregun europian.

Me një prodhim prej 75 mijë kuintalësh në sezon, luleshtrydhja e Frakullës eksportohet në Itali, Rumani, Poloni e Çeki.

“Ajo zë peshën kryesore  të eksporteve si në tregun e brendshëm dhe në atë të jashtëm. Një nga faktorët kryesor që njerëzit i janë futur punës është kultivimi i luleshtrydhes. Më e dobishme ka qenë skema e subvencionit të naftës që shumica e fermerëve e kanë marrë. Sivjet mendojmë se ka qenë një prodhim i kënaqshëm dhe tregu ka qenë pak a shumë i qëndrueshëm”, thotë Dashnor Troka.

Në Frakull të Fierit janë 260 fermerë që kultivojnë luleshtrydhen me një sipërfaqe totale prej 170 hektarësh. Pjesa më e madhe e tyre janë mbështetur nga Ministria e Bujqësisë me subvencione si për naftën ashtu dhe për ndërtimin e serave.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?