Luke Gazulli, tornitorja e parë grua e Zadrimës! 68-vjeçarja: Si luftova paragjykimet me ‘punë burrash’

11 Nëntor 2023, 15:57| Përditesimi: 11 Nëntor 2023, 16:01

  • Share

Luke Gazulli 68 vjeç është gruaja e parë në Dajç të Lezhës që u bë tornitore. Ajo tregon se në atë kohë ishte opinioni i keq, por nevoja për punë e shtyu që të mësonte një zanat burrash. Edhe sot, 68-vjeçaren e gjejmë në repartin e saj të punës.

42 vite më parë, në moshën 26 vjeçare, Luke Gazulli nga Dajçi i Lezhës, thyu tabutë, duke u bërë tornitorja e parë grua.

Ishte nevoja për të siguruar jetesën që e nxiti në atë kohë të bënte një “punë burrash".

“Shumë e vështirë ka qenë. Në atë kohë të shkonte mekanike, gruaja apo vajza ishte e vështirë. Dënonte opinioni. Megjithatë njeriu bën të pamundur. Nuk kishim ekonomi atëherë. Familja na ka mbajt me vështirësi. Kam punuar dy turnesh. Kam bërë punë nga më të ndryshmet me zetorë. Lloj-lloj. Për çdo lloj nyjash që kishte mekanika kam punuar”, u shpreh tornitorja, Luke Gazulli.

Që atëherë, ajo nuk i është ndarë asnjëherë punës. Edhe sot, në moshën 68-vjeçare, e gjejmë sërish duke punuar në repartin e saj të vogël ngjitur me shtëpinë.

Më shumë angazhohet nga pasioni, sasa përfitimi financiar.

“Më pëlqen shumë si punë, por takati. Ka kërkesa, por nuk e kam fuqinë. Ka lodhje mendore, fizike, nga sytë. Me qejfin që kam rri dhe 20 vjet të tjera”, tregoi ajo.

Këtë profesion me të cilën ka mbajtur familjen, Gazulli ja ka trashëguar edhe dy djemve të saj, ndërsa ka një apel për brezin e ri.

“Pa lek nuk të lë. Brezit të rinj ju them të bëhen sa më shumë zanatçinj, se nuk të le pa punë”, tha Luke Gazulli.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?