Luiza Xhuvani, Xhepa, Kita dhe Koroveshi me një poemë qiellore në kishën e “Shën Kollit” në Voskopojë (VIDEO)

25 Gusht 2020, 11:59| Përditesimi: 25 Gusht 2020, 12:28

  • Share

Poezia, si gjuha më e ëmbël e shekujve, rimerr fjalën nën interpretimin e Luiza Xhuvanit, Ndriçim Xhepës, Zamira Kitës e Kristian Koroveshit. Sofra mikpritëse e këtij rrëfimi ndjesish të brendshme, bëhet kisha e “Shën Kollit” në Voskopojë, që dialogu poetik, komunikimi të jetë sa më shpirtëror.

“Ideja e projektit ka nisur para pandemisë COVID 19. Këtë formë artistike, e kam të preferuarat përpos teatrit, pasi veprën se lë thjesht në dimensionin e saj, por e kthej në formën e dialogut poetik, duke e quajtur disa net të teatrit të Poemës dramatike. Kjo do të thotë se aktorët pjesëmarrës s’janë thjesht lexues, por interpretues të poezisë në formën e një monologu apo dialogu mes tyre”, rrëfen aktori Kristian Koroveshi.

Mungesa, largësia, dashuria, vuajtja, grimca gëzimi e shprese, një varg i pashkëputur emocionesh intime gjithëpërfshirës me autor Ilirian Zhupën, që vjen përmes një performance grishëse.

“Është një poemë shumë qiellore, që Zhupa e titullon “Qielli im”. Ka brenda triptikun, “Ati, biri edhe shpirti i shenjtë”. E ku më mirë sesa në një mjedis të rëndësisë së trashëgimisë kulturore, por dhe në një objekt kulti, siç është Kisha e “Shën Kollit”, mund të gjendej për këto vargje poetike që janë në formën e një lutje, të një dimensioni shpirtëror të jashtëzakonshëm”, tregon Koroveshi.

Vargje artistike jashtë të zakonshmes, që në pak kohë rrëfejnë shumë e rikthejnë Luiza Xhuvanin në shtëpinë e saj të artit, që në çdo pikë takimi reflekton përmallimin e publikut.

“Publiku sot ka nevojë që të ketë afër njerëz të mëdhenj të artit, aq më tepër në kohën e pandemisë, ku duket sikur s’do ketë shpresë, ku përtej pandemisë mungesa e shpresës është e dukshme. Prezenca e tyre të kthen në botën ideale, në një lloj të të menduarit se jeta vazhdon, jeta është e bukur, jeta ka edhe gjëra të mëdha, që bëhen me përpjekje dhe me dashuri shumë të madhe”.

Poema “Qielli im” nën interpretimin e artistëve të mirënjohur, organizuar nga Kristian Koroveshi do të jetë në kishën e “Shën Kollit” në Voskopojë në datë 26 gusht, ora 19.00.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?