Luigj Gurakuqi, funerali në varrezat
e Barit,ja fotot e 91 viteve më parë  

2 Korrik 2016, 08:32| Përditesimi:

  • Share
Një grup fotosh, disa të njohura e disa të tjera të pabotuara, dëshmojnë nëj prej ngjarjeve më të dhimbshme në historinë e Shqipërisë, vdekjen dhe varrimin e Luigj Gurakuqit. Një prej veprimtarëve më të shquar të çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet, Gurakuqi ishte një nga personalitetet më të shquara të levizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë.

Siç e njoftojnë kronikat e kohës, pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit Luigj Gurakuqi shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari prej Baltjon Stamollës në derë të Hotel Cavour, kushëri i vetë Luigjit. Ishte mbrëmja e 2 marsit, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen: do t'shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzës së tij. Në xhepat e shkyer të ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira. 
Siç dëshmohet në shumë studime historike mbi këtë vrasje, “në organizimin e këtij atentanti kishin dorë si Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, ashtu dhe Çatin Saraçi,  e dëhsmuar kjo nga letraqë atentatori dërgonte pas “kryerjes së detyrës”.

“Kerkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku asht...? "besa" ndihma!.. Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari. Shkelqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania) Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë) Çatin Saraçit Hotel de la Ville...”
Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi varrin e Gurakuqit do të shprehej: "Flej i qetë Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim me përparimin e Shqipniës."
 Fotot që i sjellim sot lexuesve tanë  dëshmojnë disa momente nga funerali  i varrimit të Gurakuqit në Bari.  Po nga kronikat e kohës mësojmë se autoritetet italiane nuk lejuan që funerali të mbahej në qytet. Leja u dha që ceremonitë të zhvilloheshin vetëm brenda mureve të varrezave. “N'ato çaste tragjike miku i afërt i Gurakuqit, Lin Kamsi ruajti veshjen me të cilën ishte vra "trimi i bardhë si dborë" për t'ia lanë si kujtim brezave të ardhshëm. Në Bari rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, prej Hasan Prishtinës, Llazar Fundos, Beqir Valterit etj”.
Fjalimin e njërit prej tyre Hasan Prishtinës, i cili siç duket edhe në foto, qëndron në mes të dashamirësve që po i japin lamtumirën Gurakuqit, do ta sjellim të plotë në këtë prezantim. 
 
 
“Shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë” 
Ja fjalimi i plotë i Hasan Prishtinës në funeralin e Luigj Gurakuqit 

Një atdhetar, idealisti i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi ra dëshmor prej dorës së një tradhtari, një krimineli, që është i shtyrë prej shumë tradhtarëve për të kryer një krim kaq të shëmtuar e të dhimbshëm.
Kjo tragjedi helmoi gjithë zemrat e shqiptarëve nacionalistë të vërtetë dhe gëzoi vetëm ca kriminelë, ca asasinë profesionistë, të cilët e quajnë veten shqiptarë vetëm sa për t’u bërë vegla të vërteta të të huajve për dëmin e shtetit dhe të popullit tonë të shkretë.

Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit kombëtarë. O Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe hedhin futën e zisë për ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me një nderim të posaçëm do ta çojmë në atë vend ku je lindur, ku je rritur dhe për të cilin ti re viktimë!
O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta edhe prej nesh do tëvriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta.

Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti! Eh, lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë

foto
Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?