Ukraina përshëndeti kundërofensivën e fundit që ka kryer, me anë të cilës thotë se ka rimarrë pjesë të territorit të saj në lindje dhe jug, ndërsa Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken vizitoi kryeqytetin, Kiev, për të premtuar më shumë ndihmë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një fjalim video të enjten se forcat ukrainase kishin "çliruar dhjetëra vendbanime" dhe kishin rimarrë 1000 kilometra katrorë (385 milje katrorë) territor në lindje dhe jug që nga 1 shtatori.
Zelensky postoi gjithashtu një video në të cilën ushtarët ukrainas thonë se kanë kapur qytetin lindor të Balakliia pranë Kharkiv-it, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë.
Vitaly Ganchev, një zyrtar pro-rus, i tha televizionit shtetëror rus se forcat ruse kishin luftuar ukrainasit që donin të rrethonin e të kapnin Balakliia, qytet që sipas tij mbetej në duart e Rusisë.
Ushtria ukrainase tha sot se forcat ruse po përpiqeshin të evakuonin personelin e plagosur dhe pajisjet ushtarake të dëmtuara në zonat e fshatit Vilkhuvatka, në jugperëndim të Kharkiv-it dhe Borodoyarske, në juglindje.
Blinken tha se forcat ukrainase po bënin përparim dhe premtoi mbështetjen e SHBA-së për "për aq kohë sa duhet".
“Ne morëm një përditësim gjithëpërfshirës për kundërsulmin dhe, përsëri, është shumë herët, por ne po shohim përparim të qartë dhe real në terren, veçanërisht rreth Khersonit, por edhe disa zhvillime interesante në Donbas në lindje”, u tha Blinken gazetarëve para se të largohej nga Kievi.
Ukraina prej javësh po flet për një kundërofensivë të madhe në jug rreth Khersonit. Analistët ushtarakë perëndimorë besojnë se Rusia mund ta ketë lënë veten të ekspozuar në zona të tjera ndërsa nxitoi të përforconte jugun.
Kompania ajrore, Air Moldova, ka njoftuar se do të rinisë fluturimet për në Moskë, pas shtatë muajsh pezullim. Kjo kompani kombëtare tha nëpërmjet një njoftimi më 9 shtator se po rinisë fluturimet “për shkak të kërkesave të shumta nga qytetarët e Republikës së Moldavisë, të cilët gjenden në Federatën Ruse dhe duan të kthehen në shtëpi”. Kompania Air Moldova tha se pandemia e koronairusit dhe pezullimi i fluturimeve për në Moskë kishin “krijuar vështirësi, me të cilat janë përballur çdo ditë qindra pasagjerë”, përfshirë edhe ata që kanë pasur emergjenca shëndetësore.
Kjo kompani ajrore kishte pezulluar fluturimet për në Moskë, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit. Lufta kundër Ukrainës shtyri Parlamentin moldav që përkohësisht të mbyllte hapësirën ajrore të shtetit pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Zelensky sheh endrra sikur ka fituar luften
PërgjigjuPo po nesër, jo vetëm që ka marë teritoret e tij zelensky me gruan por do pushtojnë dhe Rusinë
Përgjigju