Lufta tkurr importin e grurit e vajit nga Rusia e Ukraina! Në janar-qershor, importi i drithërave u ul me 22 mijë tonë

22 Korrik 2022, 18:08| Përditesimi: 22 Korrik 2022, 18:55

  • Share

Pasojat e luftës në lindje janë reflektuar në tregtinë e mallrave të gjashtëmujorit të parë mes Shqipërisë dhe Rusisë e Ukrainës. Bazuar në statistikat e INSTAT, nga janari në qershor importi i drithërave nga Rusia është ulur me 20 mijë tonë, dhe me 2.2 mijë tonë nga Ukraina.

Nëse në 6 mujorin e parë vjet janë importuar nga këto dy shtete 60 mijë tonë drithëra, këtë vit në të njëjtën periudhë janë importuar 37.8 mijë tonë.

Ndërsa rënia e importeve të drithërave në vlerë monetare është më e ulët, për shkak të rritjes së çmimeve menjëherë pas nisjes së luftës, dhe drithërat e importuara kanë kushtuar më shumë. Sipas kalkulimeve 1 kg drithë i blerë nga Rusia e Ukraina vjet kushtonte mesatarisht 31 lekë, ndërsa këtë vit është rreth 40 lekë.

Në total për të blerë drithëra nga këto dy shtete janë shpenzuar 1.5 miliardë lekë, nga janari në qershor, nga 1.8 miliardë që u harxhuan vjet në të njëjtën periudhë.

Edhe për tregtimin e vajit, shifrat flasin për rënie. Sipas të dhënave është ulur importi i vajit në sasi, ndërsa në vlerë është rritur për shkak të çmimeve të larta.

Nga Ukraina kemi blerë në gjashtëmujor 3.2 mijë tonë vaj dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale me rënie prej mbi 1 mijë tonë, ndërsa kemi shpenzuar 725 milionë lekë, nga 410 milionë që u shpenzuan vjet.

Ndërsa nga Rusia kemi importuar 2.6 mijë tonë vaj me një vlerë prej rreth 457 milionë lekë.

Si pasojë e çmimeve të larta dhe pasigurisë së shtuar, tregtia e mallrave në vend ka nisur të shfaqë shenja ngadalësimi, pasi në muajin qershor si për importet ashtu dhe për eksportet rritjet kanë qenë më të ultat prej një viti.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?