Lufta Rusi-Ukrainë shtrenjton naftën e grurin! Bizneset: Një valë e re çmimesh pritet të godasë vendin

26 Shkurt 2022, 20:13| Përditesimi: 26 Shkurt 2022, 20:22

  • Share

Roli dominues i Rusisë në furnizimin me gaz, mund të rrisë më tej çmimin e energjisë elektrike dhe të karburantit në Evropë. Menjëherë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, çmimi i naftës në bursën shkoi në mbi 105 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2014.

Bashkimi Tregtar thotë se ky shtrenjtim do të reflektohet dhe në Shqipëri ku çmimi i naftës mund të kapërcejë 200 lekë për litër.

“Rritja e çmimit të gazit, të karburanteve, ku nafta po tregtohet në 100 dollar barela, duke shkuar në nivel historik. Nafta ka arritur në 200 lekë dhe pritet të rritet më tej. Të gjitha këto do të kenë një efekt zinxhir dhe shpresojmë të mos ketë një efekt si ortek bore që do të pasohet në të gjitha industritë, në udhëtime, në aviacion pasi aviacioni furnizohet nga Rusia për metale, dhe tregu i metaleve që dje ka shkuar në nivelin më të lartë që prej 2010, padyshim që kriza do të reflektohet në të gjitha produktet në treg”, tha Pogaçi.

Aktualisht çmimi i naftës në vend luhatet në 194-195 lekë për litër. Ndërkohë menjëherë u shtrenjtua edhe energjia pas sulmit rus me 40.9 euro për megavat, nga 178.4 euro që ishte çmimi një ditë më parë, sot ka arritur në 219.4 euro për megavat.

Edhe drithërat pritet të shtrenjtohen, duke qenë se Rusia është destinacioni kryesor nga ku Shqipëria furnizohet me grurë. 

“Pjesën më të madhe të grurit ne e marrim nga Rusia. Rreth 75% të importit. Me çmimin situata është e hapur, me bllokimin që i është bërë nga SHBA, çmimi i grurit është rritur me 10% nga dje në sot. Aktualisht depozitat me grurë në Shqipëri janë të mbushura, por stoku mund deri në 2-3 muaj”, thotë kryetari i unionit tregtar Agro-Ushqimor Theodhor Kristuli.

Në mungesë të furnizimit nga Rusia, Kristuli thotë se duhet t’i drejtohen tregjeve të tjera.

“Mundësi alternative që të shkojnë më Francë apo Kanada, pra në shtete të tjera që të shikojmë. Ky proces e rrit shumë koston. Por edhe vetë Franca e ka rritur me 30 euro për ton çmimin e grurit”, pohon Kristuli.

Vetëm në vitin e kaluar Shqipëria importoi nga Rusia 4.9 miliardë lekë drithëra, vlerë që ka ardhur në rritje nga viti 2020 kur u importuan 4.3 miliardë lekë drithëra.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?