Gazment Bardhi

Lufta për vulën e PD, zbulohen gjyqtarët që do e gjykojnë në Apel, Bardhi: T’i japë fund absurdit që vijon prej 2 vitesh! Zvarritja dëmton opozitën

19 Mars, 12:45| Përditesimi: 19 Mars, 18:15

  • Share

TIRANË- Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, konflikti i brendshëm në PD tashmë është në dorën e Apelit. Gjykata hodhi shortin që përcaktoi se trupa gjykuese që do ta marrë në dorë fatin e partisë më të madhe opozitare në vend do të përbëhet nga Alma Ahmeti relatore, Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Një ditë pasi Gjykata e Lartë zbardhi vendimin e arsyetuar se përse riktheu çështjen në Apel, Gazment Bardhi kërkon shqyrtimin e menjëhershëm.

Tashmë në radhët e Rithemelimit, Bardhi shkruan se duhet t’i jepet fund këtij absurdi që vijon prej dy vitesh.

“Pas zbardhjes së vendimit të GjL për konfliktin e brendshëm ligjor në PD, është e domosdoshme që GjL menjëherë dhe pa asnjë vonesë të mëtejshme t’i jap fund tejzgjatjes së këtij absurdi që vijon prej 2 vitesh dhe që duhet të ishte zgjidhur me vullnet e përgjegjshmëri politike", shkruan Bardhi. 

Më tej, Bardhi shkruan se PD nuk është pronë e askujt, por çështja e vulës është me interes publik, prandaj kërkon edhe shqyrtim pa vonesa. Sipas tij, çdo zvarritje dëmton opozitën.

"Partia Demokratike e Shqipërisë është pronë e anëtarëve të saj, aset kombëtar, dhe çështje e interesit publik, që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në jetën publike, shtetërore, institucionale të vendit. Çdo zvarritje do të ishte e papranueshme, sepse dëmton opozitën dhe përmes saj dëmton Shqipërinë!”, shkruan Bardhi.

Reagimi i Bardhit vjen teksa sot në Gjykatën e Apelit, në orën 15:00, pritet të hidhet shorti për të caktuar trupin gjykues që shqyrtojë çështjen e vulës.

Një ditë më parë, Gjykata e Lartë zbardhi vendimin që detyron Apelin të shprehet nëse vendimi i Agron Zhukrit (që i dha vulën Berishës) është i drejtë apo i gabuar, nëse Kuvendi i Berishës më 11 dhjetor 2021 është i pavlefshëm apo jo.

Në vendimin e zbardhur se përse e riktheu çështjen në Apel, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.

Ora 15:58
Shorti në Apel për vulën dhe logon e PD, Pampuri: Të trajtohet me prioritet nga Gjykata

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri në një reagim pas hedhjes së shortit dhe përcaktimit të trupës gjykuese që do të shqyrtojë në themel çështjen e PD-së kërkon që ta trajtojnë çështjen me prioritet dhe me profesionalizëm.

Reagimi i Orjola Pampurit:

Pas hedhjes së shortit dhe përcaktimit të trupës gjykuese që do të shqyrtojë në themel çështjen e PD-së, ne i kërkojmë Magjistratëve të Apelit që ta trajtojnë atë me prioritet dhe me profesionalizëm, si interes për demokracinë dhe vendin dhe jo thjesht si një çështje të brendshme partiake.

Pas më shumë se dy vitesh zvarritjesh të pakuptimta dhe duke qenë se jemi një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, është koha që ky diskutim të marrë fund dhe që Partia Demokratike të vijojë misionin e saj për t’u shndërruar në shpresën që presin shqiptarët.

Koha kur për interesat personale kërkohet të mbahen peng një parti politike duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Dhënia fund e diskutimit të statusit të saj do ta çlirojë PD nga pengmarrja dhe nga përdorimi për interesa vetjake, dhe do ti japë mundësi të jetë alternativa e duhur për njerëzit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?