Sulmi në Kharkiv

Lufta në Ukrainë/ Dronët rus godasin Kharkivin, 4 të vdekur

4 Prill, 08:26| Përditesimi: 4 Prill, 22:55

  • Share

Një sulm me dronë rus goditi Kharkivin mbrëmjen e djeshme duke shkaktuar 4 viktima, 3 prej të cilëve ishin prej ekipit shpëtues. Guvernatori rajonal i Kharkiv, Oleh Synehubov tha se 3 personat e ekipit shpëtues humbën jetën sapo arritën në vendin e sulmit. Në total, 4 sulme goditën qytetin ukrainas mbrëmjen e djeshme.

Janë dëmtuar katet e fundit të një pallati dhe të paktën 5 persona kanë mbetur të plagosur. Sakaq, mbrojtja ajrore ruse, raportoi sipas Ria Novosti, se ka rrëzuar 5 dronë ukrainas mbi rajonet Belgorod dhe Tula gjatë natës.

Lufta ka hyrë në një fazë të nxehtë, teksa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg paralajmëroi se Kievit i duhen më shumë trupa dhe burime të qëndrueshme.

Pamja ushtarake ukrainase është e zymtë, pasi ekziston një rrezik i madh që linjat e frontit të shemben kudo dhe gjeneralët rusë të vendosin të përqëndrojnë ofensivën e tyre.

Ditën e djeshme pati një bisedë telefonike mes ministrit të mbrojtjes franceze dhe atij rus që ishte i pari që prej tetorit të vitit 2022. Megjithatë Parisi zyrtar ka mohuar të ketë diskutuar me Moskën mundësinë e një dialogu për Ukrainën.

Ora 22:54
Paralajmërimi rus për Francën: Nëse dërgoni trupa në Ukrainë, do të keni probleme

1712263985_80008ad69975ec8ec819d46f4e92674de9cf.jpg

Sergei Shoigu

Ministri rus i Mbrojtjes paralajmëroi homologun e tij francez kundër vendosjes së trupave në Ukrainë, në një telefonatë tw mërkurën qw lamw pas, raporton Associated Press.

Sergei Shoigu i tha ministrit francez të Mbrojtjes Sébastien Lecornu se nëse Parisi ndjek deklaratat e tij për mundësinë e dërgimit të një kontigjenti ushtarak francez në Ukrainë "kjo do të krijojë probleme për vetë Francën", sipas një deklarate nga ministria ruse e mbrojtjes.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha në shkurt se mundësia e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë nuk mund të përjashtohet

Zyrtarët francezë që atëherë kanë sqaruar se sugjerimi kishte të bënte me përdorimin e trupave për stërvitje dhe operacione të tjera larg vijave të frontit.

Ora 15:52
Macron i quan 'qesharake' pretendimet se Franca ka qenë e përfshirë në sulmin e Moskës

1712238881_emmanuelmacron.JPG

Presidenti francez Emmanuel Macron i ka quajtur qesharake pretendimet e ministrit rus të Mbrojtjes Sergey Shoigu se Ukraina dhe Franca mund të kenë luajtur një rol në sulmin e muajit të kaluar në sallën e koncerteve ‘Crocus Hall’ në Moskë.

Fjalët e Macron erdhën një ditë pas një telefonate midis ministrave të Mbrojtjes së Francës dhe Rusisë,  e cila çoi në deklarata divergjente nga të dyja palët.

Njëra deklaratë e ministrisë ruse të Mbrojtjes thoshte se Shoigu i tha homologut të tij francez Sebastien Lecornu në lidhje me sulmin në Moskë, se ‘regjimi i Kievit nuk bën asgjë pa miratimin e udhëheqësve të tij perëndimor’ dhe ‘shpresojmë që shërbimet speciale franceze të mos jenë të përfshira’.

Ora 15:44
Blinken: Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s

1712238366_anthonyblinken.JPG

‘Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s. Qëllimi ynë në samit është të ndihmojmë në ndërtimin e një ure drejt këtij anëtarësimi’.

Kështu u shpreh sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken drejtuar gazetarëve në Bruksel, teksa po ndjek punimet e ministerialit të NATO-s me rastin e 75-vjetorit të krijimit të Aleancës .

Blinken shtoi se mbështetja ndaj Kievit prej shteteve të Aleancës është ‘e fortë’.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?