Pasojat e luftës në Rripin e Gazës

Lufta në Lindjen e Mesme, asnjë shans për paqen?

23 Tetor 2023, 07:58| Përditesimi: 23 Tetor 2023, 08:00

  • Share

"Ky është konflikti më i rëndë dhe më i vështirë që përjetojmë që kur është themeluar shteti izraelit në vitin 1949", thotë Pnina Sharvit Baruch nga Instituti për Studimet Kombëtare të Sigurisë në Universitetin e Tel Avivit. Dhjetëra mijëra vetë kanë humbur jetën në konfliktin që ekziston prej më shumë se 75 vjetësh mes Izraelit dhe arabëve. Dhe këtë herë, kjo është frika e ekspertëve, kërcënon një luftë e gjatë dhe e përgjakshme.

Amjad Shihab, politolog palestinez në Jeruzalemin lindor thotë, se ka rrezik që ky konflikt të zgjerohet në një luftë fetare që përfshin të gjithë rajonin. Më 7 tetor terroristë të Hamasit shkelën kufirin në Izrael dhe ushtruan disa masakra duke marrë me vete rreth 200 pengje. Atentatet u mbështetën nga sulmet me raketa të Hamasit. Izraeli është kundërpërgjigjur që atëherë me sulme raketash në Gaza dhe vendosi përkohësisht bllokadën e plotë të Rripit të Gazës.

Përse bëhet fjalë në konflikt?

Izraelitët dhe palestinezët ngrenë pretendime territoriale në një pjesë toke, që shtrihet nga Deti Mesdhe deri në Jordan. Kjo tokë është përgjysmë shkretëtirë, me një gjatësi 400 km dhe gjerësi 100 km. Aty ndodhen vendet  e shenjta të hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve. Që nga themelimi i shtetit të Izraelit në vitin 1948, Izraeli dhe palestinezët dhe shtetet fqinje arabe kanë zhvilluar disa luftëra. Rreth 700.000 palestinezë u larguan nga vendindja vetëm në vitin 1948 ose u dëbuan- Përveç kësaj deri në vitin 1972 rreth 800.000 hebreje dhe hebrenj u arratisën nga vendet arabe dhe afrikanoveriore pas luftës izraelito-arabe në vitin 1948. Deri më sot pjesë të Jordanit Perëndimor ndodhen nën pushtimin izraelit. Shumë palestinezë kërkojnë shtetin e tyre, kthimin e refugjatëve dhe tërheqjen nga Jordani Perëndimor dhe Jeruzalemi lindor e një pjese të 700.000 të ardhurve izraelitë . "Pushtimi është problemi kryesor", thotë politologu Shihab. "Fjalia magjike për zgjidhjen e konfliktit do të ishte - fund pushtimit."

Për Izraelin  që është rregullisht i ekspozuar ndaj sulmeve të Hamasit është vendimtare njohja nga vendet e tjera arabe dhe garancia e sigurisë. Fjalia magjike për Izraelin është ndryshe: vetëm kur të marrë fund terrori, është e mundur paqja. Tek të dyja plët kanë fituar influencë përkrahësit e vijës së ashpër, që nuk janë gati për lëshime. Organizata terroriste e Hamasit i heq të drejtën e ekzistencës Izraelit dhe pengon kompromisin. Ajo kontrollon nga viti 2007 Rripin e Gazës.

A është e mundur paqja?

Ekspertët paralajmërojnë nga zgjerimi i konfliktit në të gjithë rajonin. Por e mundur është edhe e kundërta, thotë Margret Johannsen në bisedë me Deutsche Welle. Politologja nga Hamburgu e studion prej kohësh konfliktin në Lindjen e Afërt dhe beson ende tek një fund me paqe. Kjo megjithë kaq shumë të vdekur për shkak të terrorit të Hamasit dhe bombardimeve izraelite në Gaza? "Kjo është ajo e tmerrshmja, që unë mund të përfytyroj që kjo të vlejë si një zile zgjimi. Dhe unë shpresoj që kjo të dëgjohet."

Sipas Johannsen është i mundur një kompromis brenda tre vjetësh. "Plagët duhet të shërohen. Mund të shpresohet, që ka njerëz që duan të përpiqen për ndërmjetësim. Pa ndërmjetësim është e pamundur." Johannsen është e mendimit se edhe Kina dhe vendet afrikane e kanë këtë përgjegjësi.

Një zgjidhje: Dy shtete

Prej dekadash zgjidhja me dy shtete shihej si rruga e vetme për dhënien fund të konfliktit. Që në vitin 1947 Kombet e Bashkuara propozuan një plan ndarjeje për një shtet hebre dhe një shtet arab në Palestinë. Por shtetet arabe e kanë refuzuar atë.

Me marrëveshjen e Oslos në vitin 1993 u duk sikur një zgjidhje me dy shtete ishte e mundur. Ushtria izraelite u tërhoq nga pjesë të Jordanit Perëndimor. Një autoritet palestinez mund të administronte një të pestën e territorit, në pjesën tjetër e mbajtën kontrollin izraelitët. Por provokimet politike, atentatet, ndërtimi i ngulimeve të tjera dhe sidomos vrasja e kryeministrit Rabin në vitin 1995 e shkatërruan shpresën se dikur mund të gjendej një rrugë për zgjidhjen me dy shtete. Nga të dyja palët kundërshtarët e marrëveshjes ia dolën të pengonin marrëveshje të tjera. "Zgjidhja me dy shtete është akoma një ide e mirë", thotë ekspertja izraelite, Mairav Zonzsein nga International Crisis Group. Nëse është e zbatueshme kjo varet nga bashkësia ndërkombëtare dhe të dyja palët që të investojnë kapital, energji në zhvillimin e saj. Sot shumë vetë nuk besojnë më se kjo është e mundur."

Mbështetja për zgjidhjen me dy shtete dobësohet

Sipas një sondazhi të Pew Resarch Center vetëm çdo i treti izraelit e quan të mundur një bashkëjetesë paqësore me një shtet palestinez të pavarur. Para 10 vjetësh këtë e besonte çdo i dyti izraelit. Sondazhi u krye në pranverë 2023. Pas terrorit të Hamait më 7 tetor 2023 kjo shifër do të jetë ulur edhe më shumë. Pak a shumë kështu është gjendja edhe në Gaza dhe Jeruzalemin lindor, ku instituti i opinionit, Gallup ka kryer një sondazh para sulmit terrorist të Hamasit. Aty vetëm çdo i katërti palestinez beson në zgjidhjen me dy shtete.

Politologja Johanssen për këtë arsye bën fjalë për një zgjidhje me shtet. "Tani jo, tani dallgët janë shumë ta larta. Por në vijimësi do të ishte diçka që do e mbështesja." Nëse izraelitët dhe palestinezët jetojnë në një shtet, atëherë nuk do kishte rëndësi, ku do të jetonin të ardhurit në ngulime, sipas Johannsen.

Problem i pazgjidhshëm?

Tre modele për një shtet të tillë diskutohen deri tani: Krahas atij të një shteti të njësuar me qeveri të fortë centriste si në Francë, diskutohet edhe modeli federal me një qeveri të dobët qendrore. Një shtet të tillë sipas modelit belg, rajonet hebraike dhe palestineze do të kishin kompetenca të zgjeruara. Kurse tek zgjidhja me një konfederatë, ajo do të lidhte territore me kufij të hapur, ku qeveria izraelite dhe ajo palestineze  do të ishin përgjegjëse për tregtinë dhe sigurinë e jashtme.

Por ekspertja Pnina Sharvit Baruch e shikon këtë si të pamundur. "Një territor i njësuar me një numër të njëjtë palestinezësh dhe hebrenjsh do të ishte receta për një luftë qytetare." Për shkak "armiqësive të jashtëzakonshme" mes të dyja palëve, Baruch është e mendimit që kjo ka qenë e pamundur që para sulmit terrorist të Hamasit.

Gati gjysma e banorëve në Izrael, Gaza dhe Jeruzalemin dhe Jordanin Perëndimor janë arabë. Shumë izraelitë kanë frikë, se në një shtet të përbashkët me palestinezët do të humbiste identiteti i tyre si shtet hebraik, edhe nëse dhuna do të ndalte. Për izraelitët identiteti si shtet hebraik ka rëndësi të madhe, sepse Izraeli pas Holokaustit u ngri si vatër mbrojtëse për hebrenjtë në të gjithë botën.

Konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve është kthyer ndërkohë në një sinonim për një problem të pazgjidhshëm. "Aq i komplikuar duket për shumë vetë, në të vërtetë është shumë shumë i thjeshtë", thotë përkundër kësaj ekspertja Mairav Zonzsein. "Kemi dy popuj, që duhet të jetojnë në paqe dhe siguri. Dhe asnjë lloj terrori dhe asnjë lloj fuqie ushtarake nuk na kanë çuar përpara. Sipas Zonzsein paqja është e mundur në plan afatgjatë, vetëm kur të dyja palët të fitojnë besim tek njëra-tjetra. Por për këtë duhet të ndalet më parë gjakderdhja, që për momentin nuk duket realiste./DW

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?