Lufta ndaj korrupsionit, Cantone:
Ndërhyni në administratë/ VD

11 Janar 2018, 18:20| Përditesimi:

  • Share
Presidenti i Agjencisë Kombëtare Antikorrupsion Raffaele Cantone i dha një intervistë ekskluzive gazetarit të Report Tv Carlo Bollino, në të cilën, ndër të tjera, theksoi se për të luftuar korrupsionin edhe në Shqipëri nuk mjafton një prokurori e re dhe një drejtësi eficente, por duhet ndërhyrë në punën dhe cilësinë e administratës publike.

"Ideja se mund të jetë vetëm drejtësia është ajo që mund të ndryshojë Administratën Publike përmes veprimeve penale, doli se ishte e gabuar, për shembull me Tanxhentopolin, sepse Tanxhentopoli në Itali nxorri fakte të mëdha korrupsioni, por nuk i shfarosi.

Nëse nuk futen mekanizma brenda administratës që të shmangin ndodhinë e fakteve të korrupsionit, veprimet penale nuk janë efikase, sepse niveli i korrupsionit është në gjendje të spostohet në vende të tjera me më pak vëmendje edhe të ndryshojë tipologjinë për të shmangur përndjekjen.

Prandaj është e nevojshme të ndërhyhet me një drejtësi efikase, por është e nevojshme të ndërhyhet duke krijuar kushtet që korrupsioni të mos ndodhë, sepse drejtësia ndërhyn gjithnjë më pas, kur tashmë fakti ka ndodhur e dëmi është bërë" deklaroi ai për Report Tv. 

Intervista në Report Tv 

Presidenti i Agjencisë Kombëtare Antikorrupsion të Italisë Raffaele Cantone i dha një intervistë ekskluzive gazetarit të Report Tv Carlo Bollino, në të cilën, ndër të tjera, theksoi se për të luftuar korrupsionin edhe në Shqipëri nuk mjafton një prokurori e re dhe një drejtësi eficente, por duhet ndërhyrë në punën dhe cilësinë e administratës publike. Cantone ka folur edhe rreth takimeve me përfaqësues të qeverisë shqiptare, ku në fokus kanë qenë pikërisht mundësitë e bashkëpunimit dhe koordinimit për parandalimin e korrupsionit dhe Vetingu në Policinë e Shtetit.

Cantone u shpreh se nëse nuk futen mekanizma brenda administratës që të shmangin ndodhinë e fakteve të korrupsionit, veprimet penale nuk janë efikase. Presidenti i Agjencisë Kombëtare Antikorrupsion të Italisë theksoi më tej se të gjitha administratat janë duke adoptuar sistemet që lidhen me mbledhjen e denoncimeve të bilbilfryrësve, po marrin masat për rotacionin e personelit, kanë vënë në zbatim kodet etike etj.

President si e gjykoni nivelin e korrupsionit ne Ballkan dhe pse korrupsioni ne veçanti është i përhapur në Ballkanin Perëndimor?
Cantone: Mendoj se fenomeni është më se i rrënjosur, mjaft i rrënjosur në të gjithë ato vende që dolën nga një lloj eksperiencash, në ato vende që iu afruan demokracisë, vende të cilat kanë kaluar regjime të ndryshme ekonomike. Në të gjithë këto vende ka një nivel të konsiderueshëm korrupsioni, që mund të jetë i ndryshëm në vende të caktuara të Ballkanit, duhet thënë që niveli i korrupsionit është i lartë në këto vende. Por ka dhe një të dhënë pozitive në këtë situatë, që ekziston vetëdija e mjaftueshme për fenomenin. 

Nuk behët fjalë për të nënvleftësuar fenomenin, të paktën nga ana formale ka një vetëdije se problemi është mjaft serioz, aq më tepër që sot kjo çështje shtrohet edhe për shkak të procesit te integrimit në Bashkimin Europian. Mendoj se ka disa arsye për korrupsionin. Nuk i qëndroj idesë së predispozicionit antropologjik te korrupsionit. Padyshim që aspektet kulturore kanë rëndësinë e tyre, sigurisht që ka koston e vet një ndryshim i sistemit ekonomik dhe politik, krijimi i vlerave të reja, që nuk janë të thjeshta për t’u krijuar në një ditë të vetme. Ndaj unë mendoj se në një lloj tipologjie vendesh ku ka patur regjime të caktuara ka patur një nivel të lartë korrupsioni.

Pastaj gjithashtu mund të flasim edhe për një sistem gjyqësor jo efiçent dhe këtu po flas në përgjithësi, nuk po i referohem Shqipërisë. Një sistem gjyqësor që nuk ka as instrumentet e duhura për të përballuar këto çështje, në prani edhe të krimit të organizuar që është strukturuar në vendet e Ballkanit. Në këtë kuadër mendoj se ka disa arsye , edhe për faktin se në disa vende të Ballkanit nuk ka patur lidership të vëmendshëm ndaj këtij fenomeni. Së fundmi përshtypja jonë është se në vendet e Ballkanit me të cilët kemi shumë raporte ka një rritje të vetëdijes për fenomenin.

Vizita juaj parashikon takimet me ministren e Drejtësisë, ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin Rama. Çfarë diskutuat në këto takime?
Me ministren e Drejtësisë diskutuam rreth mundësive të shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkëpunimit mes palëve. Ne si autoritete që punojmë për parandalimin e korrupsionit, kemi folur rreth mundësisë së bashkëpunimit por edhe krijimin e një sistemi koordinimi për sa i përket parandalimit. Ashtu siç ka rezultuar në takimet e para që kam patur me zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë Shqiptare në kuadër të takimeve për procesin e Berlinit vihet re mungesa e një mekanizmi parandalues që më pas e bën më të vështirë arritjen e rezultateve të përbashkëta.

Kështu që ne kemi evidentuar këtë problem dhe kemi menduar të punojmë së bashku në dy aspekte. Së pari kam ftuar ministren e Drejtësisë dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë për të parë nga afër se çfarë bëjmë në të vërtetë në këtë drejtim. Kam evidentuar mundësinë për të punuar së bashku edhe mbi indikatorët e korrupsionit. Pra mund të parandalohet korrupsioni kur dihet se ku është korrupsioni, veçanërisht si zhvillohet. Sepse nëse nuk di si zhvillohet korrupsioni nuk di si ta parandalosh. Është një temë ku ne si Itali jemi duke i kushtuar vëmendje, pasi edhe nuk kemi pak probleme me këtë fenomen. Pra është një temë ku ne mund t’ju ofrojmë një ndihmë të konsiderueshme.

Pra temat kryesore lidhen me strukturimin e një raporti për këto indikatorë. Ajo që thashë dhe më sipër, krijimi i një sistemi koordinimi mes gjithë atyre institucioneve të ndryshme që merren me parandalimin e korrupsionit do të ishte shumë i rëndësishëm. Me ministrin e Brendshëm folëm padyshim rreth Vetingut në forcat e rendit. Evidentuam mundësitë e bashkëpunimit mes palëve si për sa përket formimit në radhët e forcave të policisë ashtu edhe në planin tjetër të cilin ne e konsiderojmë mjaft strategjik , atë të kodeve etik, që mund të ndihmojë në krijimin e një figure me integritet edhe në radhët e forcave të policisë.

Nëse mund të na shpjegoni për opinion publik shqiptar, ku konsiston aktiviteti i agjencisë kombëtare të anti-korrupsionit, që është një institucion i ri edhe në Itali.
Po është një institucion i ri që lindi mbi bazën e ligjit antikorrupsion të vitit 2012 ku Itali edhe në kuadër të obligimeve ndërkombëtare, por Agjencia faktikisht nisi punën në vitin 2014. Agjencia merret me parandalimin e korrupsionit, pra marrjen e masave që parandalojnë korrupsionin, pra merret me integritetin e administratës, sepse ne mendojmë që për të parandaluar korrupsionin duhet një administratë me integritet, pra ndërhyrje në administratë për të parandaluar korrupsionin në tre drejtime:

Organizimin e planeve për parandalimin e korrupsionit, transparencën, dhe mbi konfliktet e interesit.  Këto janë fushat kryesore të aktivitetit të agjencisë përfshirë dhe një të katërt që lidhet me kompetencat për të kontrolluar dhe verifikuar ligjshmërinë e tenderave publikë.

Kanë kaluar tre vjet nga krijimi i agjencisë, si ka ndikuar puna juaj në nivelin e korrupsionit në Itali dhe si e gjykoni korrupsionin në administratën italiane?
Niveli i korrupsionit është domethënës, edhe pse sipas meje nuk është korrekte të thuhet se niveli i korrupsionit është i krahasueshëm me periudhën e para Tanxhentopolit. Nuk është aspak kështu. Në brendësi të administratës ka padyshim burime të shëndetshme që duhen vlerësuar.

Përshtypja që ne kemi është se sot ka një mekanizëm pozitiv reagimi nga pjesa e shëndetshme e administratës. Padyshim që këto mekanizma ndryshe nga përndjekja që jep rezultat menjëherë, pra arrestet, parandalimi ndodh më ngadalë, por shohim sinjale pozitive edhe në nivel të rritjes së transparencës, përmirësimin e qasjes së administratës në lidhje me këtë fenomen jo vetëm formalisht por edhe substancialisht.

P.sh., të gjitha administratat janë duke adoptuar sistemet që lidhen me mbledhjen e denoncimeve të bilbilfryrësve, pjesa më e madhe e administratave po marrin masat për rotacionin e personelit, pjesa më e madhe e administratave kanë ndërmarrë programe të formimit, kanë vënë në zbatim kodet etike. Janë këto sinjale të një administrate që po reagon. Padyshim që ky është fillimi i një rruge që do të jetë e gjatë.

Ju jeni një magjistrat, pra ju e njihni fenomenin si në nga pikëpamja e administratës publike ashtu edhe nga pikëpamja e sistemit të drejtësisë, Sipas jush cili është thelbi kryesor i luftës ndaj korrupsionit? Një administratë publike e shëndetshme apo një prokurori dhe sistem gjyqësor efikas?
Që të dyja, të mendosh që luftosh fenomenin vetëm në një drejtim është e gabuar. Ideja se mund të jetë vetëm drejtësia është ajo që mund të ndryshojë administratën publike përmes veprimeve penale, doli se ishte e gabuar, për shembull me Tanxhentopolin, sepse Tanxhentopoli në Itali nxori fakte të mëdha korrupsioni, por nuk i shfarosi. Nëse nuk futen mekanizma brenda administratës që të shmangin ndodhinë e fakteve të korrupsionit, veprimet penale nuk janë efikase, sepse niveli i korrupsionit është në gjendje të spostohet në vende të tjera me më pak vëmendje edhe të ndryshojë tipologjinë për të shmangur përndjekjen. Prandaj është e nevojshme të ndërhyhet me një drejtësi efikase, por është e nevojshme të ndërhyhet duke krijuar kushtet që korrupsioni të mos ndodhë, sepse drejtësia ndërhyn gjithnjë më pas, kur tashmë fakti ka ndodhur e dëmi është bërë.

Hera e parë që vini në Shqipëri, cili është perceptimi juaj, cilat janë emergjencat në fushën e korrupsionit që keni konstatuar deri tani?
Unë edhe më parë jam takuar me ministrin e Drejtësisë që vizitoi Romën, pra kam zhvilluar takim me të në kuadër të procesit të Berlinit, kam takuar kryeministrin, kam takuar disa herë sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Shoh që ka një ferment të madh për sa i përket legjislacionit që deri tani i ka kushtuar shumë vëmendje aspektit të përndjekjes, pra ideja për të krijuar një sistem drejtësie që është në gjendje të përballet me fenomenin.

Në planin e parandalimit ka disa institucione por që bashkëveprojnë me shumë vështirësi mes tyre. Por tani duhet kuptuar se si ky ferment mund të përkthehet në fakte konkrete. Sepse rreziku i gjithë reformave është zbatimi konkret i tyre, pra rezultate konkrete. Me këtë logjikën e ndryshimit që nuk është vetëm ballkanike, por pak a shumë ka prekur gjithë botën, ndryshimi në vazhdimësi i normave, askush pastaj nuk shikon problemin e vërtetë, për të kuptuar sesi po funksionojnë këto institucione.  

Konkretisht në ç’mënyrë mund të ndihmojë agjencia Shqipërinë në këtë rrugëtim?
Pikë së pari Agjencia ka vendosur raporte me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku kemi krijuar dy binjakëzime me Malin e Zi dhe Serbinë. Eksperiencat janë të ndryshme me Shqipërinë por konteksti nuk është aq i ndryshëm. Mendojmë që ka ngjashmëri rajonale dhe ka mjaft potencial rajonal për të përballur fenomenin. Ky ferment është pak edhe një sfidë që lidhet me integrimin evropian. Pra ka një mundësi historike, për të bërë bashkë nga njëra anë opinionin publik, politikën, institucionet, dhe ana tjetër me disa masa të cilat derivojnë nga procesi i integrimit.

Pra kemi të bëjmë me një eksperiencë shumë interesante për shkak të këtij fermenti të madh që gjendet gjithandej. Ne në kuadër të procesit të Berlinit jemi duke bashkëpunuar me institucionet evropiane për të dhënë mbështetje edhe duke iu referuar eksperiencës nga dy binjakëzimet që ju citova. Pastaj ne shpresojmë të kemi edhe një kthim, në sensin që përballja me të tjera realitete pavarësisht të ndryshme, të identifikojë situata të kriticizmit që në agjenci si kjo e jona ende fazën e formimit, përbejnë elementë mjaft pozitiv.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, shikoni pika kontakti?
Që korrupsioni ka lidhje me krimin e organizuar ne në Itali e marrim si të mirëqenë. Padyshim që Italia ka mjaft njohuri mbi lëndën e mafies, që u kthye më pas në paradigmën e mafieve në të gjithë botën. Pra fatkeqësisht Italia ka bërë pilotin për sa i përket organizatave mafioze. Dua të them se triadat kineze ekzistonin shumë kohë përpara mafias italiane, por mafia italiane strukturoi një logjikë funksionimi që më pas u kopjua nga të gjitha organizatat mafioze në botë.

Në këtë sens mund të themi se kemi një vëzhgim të privilegjuar. Sot ka një ndryshim të madh veprimi në organizatat mafioze që kanë nevojë të përballën me pushtetet publikë dhe që gjithnjë e më tepër nuk e bëjnë duke intimiduar por duke korruptuar. Pra ka një raport shumë të fortë mes korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga ana tjetër organizatat mafioze nuk do të mund të rezistojnë nëse nuk bashkëjetojnë me pushtetet publikë, dhe kjo arrihet pikësëpari nëpërmjet korrupsionit. Pra duke iu referuar kësaj përvoje mund të them se në Shqipëri ku ka një situatë të fortë kriminale është e dukshme se ka një lidhje mes krimit dhe korrupsionit.

Imagjinoni se keni kartë të bardhë (Carta Bianca) dhe mund të bëni 3 ndërhyrje për të parandaluar korrupsionin në administratë, cilat do ishin ato?
Ku?

Në Shqipëri por duke u nisur nga përvoja italiane...
Unë mendoj se duhet të krijojmë një mekanizëm të transparencës, që të mos shohë vetëm në logjikën e administratës qendrore. Përshtypja është se ka shumë vëmendje mbi administratën qendrore ku përqendrohet edhe pjesa më e madhe e pushtetit ndërsa ka një vëmendje më të vogël për administratat lokale por që shpesh janë ato që përballen me qytetarët.

Pra një program transparence që u përket të gjithëve, një program formimi pasi shumë shpesh ka një lidhje mes korrupsionit dhe injorancës, ku zyrtaret nuk njohin detyrimet dhe të drejtat ashtu si dhe qytetarët që nuk njohin të drejtat dhe detyrimet . Dhe një program integriteti që të trajtojë konfliktin e interesit. Mbi këto tre tema mund të arrihen rezultate konkrete .

Sa mund të ndikojë edukimi i opinionit publik në luftën ndaj korrupsionit?
Ndikon shumë pasi instrumenti kryesor i luftës ndaj korrupsionit, është kërkesa e kontrollit që vjen nga ana e qytetarëve, kontrolli civil, ajo që anglosaksonët e quajnë kontabilitet, pra të japin llogari për rezultatet e veprimtarisë administrative.

Do t’ju tregoj një episod që për mua është emblematik për ndryshimin kulturor në ato vende ku niveli i korrupsionit është Ii ulët. Ministri i Administratës Publike të Suedisë erdhi për një vizitë në Itali dhe kërkoi të takojë autoritetet e Agjencisë sonë të Antikorrupsionit, për të mësuar se çfarë ishim duke bërë në këtë drejtim. Në fund të takimit e pyeta unë sesi e lufton Suedia korrupsionin. Më tha asgjë, duke shtuar transparencë, transparencë, transparencë. Dhe më shpjegoi se nëse ata blejnë një celular që kushton një euro, dhe vitin tjetër këtë celular e blejnë një euro e 1 cent, njerëzit duan të dinë se pse kanë shpenzuar një cent më shumë.

Ky mekanizëm konsultimi i vazhdueshëm që ekziston mes institucioneve dhe qytetarëve, përbën stimulin më të mirë në luftën kundër korrupsionit. Nëse nuk do të ketë një stimul nga qytetarët është e dukshme se do të jetë më e vështirë për të luftuar korrupsionin. Këtu do t’i referohem dhe aspektit tjetër. Padyshim tek transparenca futet dhe transparenca e informacionit, pra demokracitë hedhin në fushë antikorpet edhe me një media të lirë. Transparenca e vërtetë bëhet edhe nga ata që nuk kane interes të drejtpërdrejtë në çështje të caktuara. Pra media është instrumenti më domethënës i transparencës, ajo që quhet watchdog.

Në Shqipëri është duke u diskutuar ideja e përqendrimit të garave për shërbimet publike nga një agjenci e vetme, pak a shumë si Cons ip në Itali. Ju si e gjykoni modelin Italian, pozitiv apo që ka risk?
Padyshim një model pozitiv por pikërisht se është pozitiv paraqet dhe risqe. Pikë së pari përqendrimi i blerjeve, padyshim që është një instrument që krijon mundësi për kursime të mëdha. Nuk e di sesa është niveli i kursimeve në Itali, dhe nuk e di gjithashtu nëse shifrat që japin janë të tërësisht të besueshme apo jo. Padyshim kursimet janë. Dhe janë kursime që pavarësisht aspektit ekonomik përbëjnë kursim kohe edhe për administratën publike. Psh bërja e garës për shërbimin e pastërtisë, dhe këtu flas për autoritetin tonë. Ne nëse do të bënim një garë për shërbimin e pastërtisë së Agjencisë do të na duhej 6 muaj kohë dhe ndoshta do kishim vështirësi për ta bërë. 

Ndërsa duke përdorur sistemin Cons ip mund të hyjmë në gara tashmë të kryera nëpërmjet një sistemi koordinimi që na jep mundësi ta kemi të përfunduar brenda 5 ditëve. Padyshim me çmime që kush i ofron arrin edhe të kursejë. Kjo padyshim përmirëson dhe cilësinë e shërbimit. Por nga ana tjetër kjo ka dhe risqe. Mbi te gjitha centralizimi sjell rrezikun e monopolit. Pra rrezikon të zhdukë operatorë më të vegjël dhe gjithashtu rrezikon të krijojë mekanizma korruptivë edhe më të lartë. Pra zgjedhja e centralizimit është e dobishme sepse në fund të fundit ke vetëm një subjekt për të kontrolluar por nga ana tjetër është një zgjedhje që duhet patur nën kujdes për të evituar të krijosh një monstër shumë të fortë.

Faleminderit
Faleminderit juve

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?