Sali Berisha

Lorenc Vangjeli: Berisha hoqi Bashën, vota mund të heqë Berishën

6 Mars, 21:27| Përditesimi: 6 Mars, 21:31

  • Share

Edhe pse duket e komplikuar deri në kufirin e dëshpërimit, situata në PD është tmerrësisht e qartë dhe e thjeshtë. Duke lënë pas detajet që fshehin thelbin, thelbi i asaj që po ndodh në PD, mund të shpjegohet si historia e një cikli, ku hallka e saj e parë njerëzore, refuzon të jetë ndryshe, përveçse hallkë e fundit.

Mbas humbjes së zgjedhjeve të 21-shit, përkundër logjikës dhe bindjes së demokratëve, Lulzim Basha u rizgjodh sërish kryetar partie vetëm në sajë të bekimit të Berishës. Të traumatizuar nga disfata, të gjithë ishin kundër, por askush nuk merrte guximin të hidhte gurin i pari. Disa zëra kundër tij ishin të pamjaftueshme për t’u bërë shumicë, në mungesë të sinjalit nga Doktori. Përtej asaj që ndodhte në prapaskenë, vetë Berisha në Kuvendin që do të votonte, e identifikoi me përqafim Bashën si të rizgjedhurin e tij. Të tjerëve ju mbetej thjesht të zbatonin vullnetin e Doktorit. Madje edhe duke mbushur kutitë me vota për Bashën 3, siç do të rrëfehej më pas një nga deputetët e rëndësishëm të PD-së.

Vetëm dy muaj më pas, në shtator 2021, Basha përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar dhe u pa qartë se ati e biri u vunë përballë. Dhe ballë përballë u vunë dhe ndjekësit e tyre ndërsa në mes, si linjë ndarjeje, në Rubikonin e ri të demokratëve, u vu njolla e Non Gratës dhe qëndrimi ndaj SHBA-së.

Rikthimi epik i Berishës, më shumë frut i dobësisë së Bashës se forcës së tij, krijoi një realitet të ri në opozitë. Frymëzimi i njerëzve anti Basha vinte nga disa flukse; që nga idealistë e mirënjohës e deri tek sovjetikët e rinj, dashnorë të statusit të vjetër. Të pakënaqur nga seriali i humbjeve të Bashës, pengje të idhujtarizimit si stil mbijetese, një pjesë e tyre identifikuan tek Berisha mjetin dhe mekanizmin e vetëm për të larguar Bashën nga partia.

Edhe me rrjedhjen përgjithësisht një kalimshme të deputetëve nga njëra anë tek tjetra e dy palëve që ndesheshin e me të tjerë që nuk ishin as me hanxhiun e vjetër dhe as me qeraxhiun e ri, me tetë janarin e turpit në mes, lumin e llumin e akuzave reciproke, dy ballafaqimet elektorale në zgjedhjet lokale, mbas dy vjet e kusur sherresh, tashmë PD ka marrë formë. Pra, ka një maxhorancë deputetësh të rreshtuar pas Berishës dhe një minorancë që ende quan Bashën kryetar të PD-së zyrtare. Për shkak të vulës që endet në gjykata.

Kooptimi pa votë i ish-kundërshtarëve në PD është akti i fundit i kësaj komedie partiake dhe drame për shoqërinë shqiptare. Një farsë të cilës askush nuk i thotë titullin, por i njeh epilogun. Të gjithë së bashku, të bindur se me Berishën në krye janë sërish të humbur në ballafaqim me Ramën, ata presin vetëm ditën e zgjedhjeve. Mbas humbjes së rradhës, ata mendojnë se Berisha do të largohet automatikisht. Sepse kështu ju “betohet” statuti i partisë. Por deri atëherë, Berisha do t’i ketë bërë sërish deputetë. Dhe si deputetë të opozitës së re, atyre do t’u duhet të presin e të shpresojnë se edhe pse ndodhi katër herë, nuk do të ketë një mandat të pestë për Ramën.

Kaq e thjeshtë është. Nuk bëhet fjalë as për parime, as për zgjidhje dhe as për përzgjedhje. Dhe natyrisht as për bashkim mbi bazë bindjesh, por për qepje pjesësh në bazë halli. Çfarë i ndau, është ende brenda. Edhe qëndrimi ndaj SHBA-së, edhe raporti me drejtësinë e re, janë dy brigjet e Rubikonit ku secili sheh të ardhmen, duke refuzuar të hedhë nga shpina ngarkesën e të shkuarës. Sepse të gjithë e dinë, Berisha ishte i vetmi që mund të “vriste” një humbës serial si Basha në të shkuarën dhe zgjedhjet e ardhshme janë i vetmi mjet për të vrarë ambicjen e Berishës për të qenë i pari dhe i fundit njeri tek dera e PD-së në të ardhmen. Të gjithë ja kanë me hile njëri-tjetrit në të vërtetë dhe mes dy palëve që bëjnë sikur duhen, fiton gjithmonë i treti për herë të katërt! Java

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?