Londra e Conte-s, Tottenham kthehet të luftojë për Champions-in! Reali 'masakron' Levante-n, Vinicius realizon 'tripletë'

13 Maj 2022, 11:33| Përditesimi: 13 Maj 2022, 12:22

  • Share

Tottenham-i i Antonio Conte-s është rikthyer bindshëm në luftën për të siguruar një vend në Champions League dy javë para mbylljes së kampionatit. ‘Spursat’ kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0 derbin kundër Arsenal, duke shkuar vetëm 1 pikë larg ‘topçinjve’ që mbajnë vendin e katërt në renditjen e Premier League.

Harry Kane zhbllokoi i pari me penallti para se Holding të lehtësonte punën e Tottenham, duke lënë Arsenalin me një lojtar më pak në fushë. Më tej deri në fundin e pjesës së parë sërish Kane dyfishoi shifrat para se në pjesën e dytë Soon të vuloste rezultatin përfundimtar. Për koreanojugorin ky ishte goli i 21 këtë sezon teksa asnjë prej tyre nuk është realizuar me penallti. Megjithatë ai është në luftë për trofeun e golashënuesit me Salah, i cili ka gjetur 22 herë rrugën e rrjetës.

Ndërkohë në La Liga Reali është rikthyer të fitojë dhe këtë e ka bërë duke ‘masakruar’ 6-0 Levante-n. ‘Galaktikët’, që prej dy javësh kanë siguruar titullin kampion, nisën serinë e golave që në minutën e 13 me Mendy-n, ndërsa derisa skuadrat të shkonin në pushim realizuan edhe Benzema me Rodrygo-n.

Pjesa e dytë ishte totalisht e ‘yllit’ Vinicius Junior, i cili kompletoi ‘tripletën’ personale. 21-vjeçari mrekulloi ‘Bernabeun’, ndërsa kapi shifrën e 17 golave në La Liga këtë sezon.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?