Llambi Blido: Arti i diktaturës
vuante nga 'astma piktorike'

7 Nëntor 2012, 17:58| Përditesimi:

  • Share
Të pikturosh posi të marrësh frymë
A jeton imazhi? A merr frymë? Unë luaj me këtë pyetje e të tjera, kur, me kokën në re gjatë kthimit me avion nga Tirana, sjell në mend vizitën time në Galerinë Kombëtare të Shqipërisë dhe takimin tim me një piktor.
Galeria Kombëtare ka salla të mëdha e plot dritë, të mbushura në pjesën më të madhe me vepra përfaqësuese të Realizmit Socialist, i cili sundonte gjatë diktaturës së gjatë të Enver Hoxhës. Kur ai u prish sëpari me BS e pastaj me Kinën, sepse ato u larguan nga modeli stalinist, Hoxha ndërtoi mbi 500 mijë bunkerë njëvendësh për mbrojtjen nga sulmet armike.
Njëvendësh!!! Vetëm kur kërkon të përfytyrosh asfiksinë e një projekti të tillë të çmendur, mund ta kuptosh më mirë shkallën e lirisë që gëzonin artistët shqiptarë gjatë asaj diktature. Pikturat e ekspozuara në GKA tregojnë në fakt një paradë të pandërprerë punëtorësh, ushtarakësh, partizanësh prometeikë, të gjithë me ngjyra dheu, të errëta.

Megjithatë, në kompaktësinë e këtij rreshtimi, ndihet tek-tuk një spiral daljeje: Rafael Dembo, p.sh. pikturon një grup punëtorësh "vullnetarë", që ndërsa shkojnë në fushë, nuk buzëqeshin. Më tej, në dy vepra të viteve '60, Spiro Kristo na nxjerr para disa aviatorë që lozin me modelina avionesh, dhe më pas fëmijë me pushkë, dhe me një shikim dashamirës, ndërsa i bashkon të dy palet- me qëllim a jo? S'dihet: të rritur , fëmini, luftë, dhe lojë, e bën të tërën më njerëzore. Përmbi çdo gjë tjetër, nuk largohemi dot nga dy pëlhura të Llambi Blidos, të dyja të fillimviteve '70. Në fakt ka aty një kolorit të dritësuar dhe një inteligjencë kompozimi vërtet të jashtëzakonshme, që i bëjnë dy figurat e paraqitura (një punëtore që manovron levat e një fabrike, dhe një vajzë me shprehje enigmatike) vendosmërisht të dallueshme nga gjithë të tjerat aty pranë.

Falë një serie fatlume takimesh - Tirana në fakt është një botë e tërë e vogël - ia dalim ta takojmë Blidon disa orë mbas vizitës në muze. Na shoqëron Gëzim Panaritit, kuratori i GKA, i cili na shpjegon gjatë rrugës se sa i rëndësishëm është artisti Blido për Shqipërinë, edhe sepse ka mundur të qëndrojë i huaj brenda regjimit, gjë që bashkëbiseduesi ynë e përsërit me ton, ishte e vetmja mënyrë e mundshme për të rezistuar pa u eliminuar fizikisht. Blido është gati 80-vjeç, është i verbër dhe vazhdon të pikturojë. Ulur në një kafe të periferisë, ky njeri i butë na shpjegon se si, pra humbjes përfundimtare të shikimit, kishte arritur të zhvillonte një teknike të tijën kombinimi të ngjyrave dhe të përdorimit të hapësirave mbi telajo, për të vazhduar në errësirë.
Të mbresuar nga një përkushtim i tillë pikturës, pyesim Blidon ç`kuptim i jep punës me pikturën në kohën e diktaturës.
Na përgjigjet me një leksion të pasionuar mbi lehtësinë e ngjyrave, pastaj shton se ka menduar gjithmonë që artit zyrtar i mungonte frymëmarrja, vuante nga "asma piktorike", dhe ishte pikërisht kjo frymëmarrje që ai ka dashur ta mbajë gjallë nëpërmjet ngjyrave.

Artistë si Edison Gjergo e paguan shumë rëndë për mjaft më pak: Në 1973 e burgosën se piktura e tij vuante nga "formalizmi", dhe s'dihet ç'kuptonin me këtë. Kurse Llambi qëndroi me dashje në periferi të skenës artistike që të mund të vazhdonte pikturën në liri, ndërkohë që, si ilustrator për të fituar jetën, merrte nga historitë vizatimore amerikane që i lejoheshin, dhe nga koloristët e mëdhenj të çdo kohe frymezimin e tij artistik. Me një fjalë brenda një bote të burgosur, ai ruante mundësinë e një vrojtimi të lirë: nëpër errësirën e një diktature paranoiake. Pra, ky artist me natyrë paqësore dhe të pasionuar, kishte kaluar tek një errësirë tjetër, atë të verbimit, por duke ditur të gjente rrugën për t'u mbijetuar të dyjave. Dhe kishte shpëtuar kësisoj pikturën e tij.
Dalim nga lokali në mbrëmje tashmë, e drejtohemi tek banesat tona. Imazhet e Blidos na shoqërojnë mendërisht, përherë e më të qarta, të ndriçuara në errësirën që na rrethon.

(Shkrimi u publikua në suplementin RILINDASI të gazetës SHQIPTARJA.com)

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?