Arne Slot

Liverpool gjen pasuesin e Klopp, nis bisedimet me Arne Slot

24 Prill, 12:50| Përditesimi: 24 Prill, 12:55

  • Share

Liverpool ka nisur bisedimet me Arne Slot për të qenë ai zëvendësuesi i Jurgen Klopp në stolin e ekipit. Gjermani ka njoftuar se në qershor nga largohet nga "Anfield" duke bërë që drejtuesit të jenë në kërkim të një emri që i përmbush pritshmëritë.

'Sky Sport' në Angli bën me dije se Liverpool ka hapur bisedimet me Arne Slot, i cili shihet si zëvendësuesi ideal i Klopp. Trajneri aktual i Feyenoord ende nuk e ka vendosur të ardhmen, me holandezët që kërkojnë ta mbajnë në ekip.

Kontrata e tij me klubin nga Roterdami skadon në verën e 2026, por kjo nuk do ishte problem për Liverpool nëse bindte një prej talenteve të trajnimit të pranonte të ishte pasuesi i Klopp dhe të merrte barrën e rëndë mbi supe për të drejtuar një klub emblemë si Liverpool.

45-vjeçari Slot e ka nisur karrierën në 2014 si asistent dhe më pas trajner kujdestar i SC Cambuur, për të kaluar më pas si asistent te AZ Alkmaar në 2017. Pas dy sezonesh ai mori rolin e trajnerit të parë te AZ ku bëri mirë dhe u fut në optikën e Feyenoord.

Me këta të fundit ai u ul në stol në 1 qershor 2021 dhe ka 144 ndeshje në drejtim, duke fituar një titull kampion dhe një Kupë të Holandës. Këtë sezon Feyenoord mban pozitën e dytë në kampionat me 72 pikë, nëntë më pak se kryesuesit e PSV-së.

Për t'u theksuar se nën drejtimin e Arne Slot ekipi ka bërë mirë edhe në Evropë, duke qenë në finalen e Conference League, humbur 1-0 kundër Romës në Tiranë, më 25 maj 2022.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?