SPAK ka kërkuar për ish gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për korrupsion pasiv. Më herët Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit pranoi kërkesën e ish gjyqtare për gjykim të shkurtuar.
Gjatë operacionit për arrestimin e Enkelejda Hoxhës u arrestuan edhe persona të tjerë të përfshirë në skemën e korrupsionit ku liroheshin të fortët. Për këto SPAK ka kërkuar edhe 4 vite burg për avokatin Aldo Tabaku, i cili ndërhynte për ndryshimin e vendimit dhe 3 vite burg për Sekretaren e Gjykatës, Manuela Mallkuçi.
SPAK kërkon nga 2 vite burg për të dënuarin Saimir Petanin i cili kërkonte lirimin nga burgu kundrejt pagesës dhe vëllain e tij Bledar Petani, i cili do i jepte 12 mijë euro ish gjyqtares Hoxha. Dënimin me dy vite burg, SPAK kërkon edhe për të arrestuarit e tjerë Altin Skëndaj, Gazmir dhe Gentjan Nezajn e Isuf Tanezin, ndërsa për Trëndafile Fagun ka kërkuar 9 muaj burg, të gjithë të akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha akuzohet për korrupsion duke liruar disa të fortë të dënuar me burgim përjetë. Pas arrestimit ajo ka bërë plot 8 herë kërkesë për lirim dhe heqje arresti me argumentin se nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e saj, por GJKKO i ka refuzuar të gjitha kërkesat.
Enkelejda Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit. Ajo u arrestua nga SPAK pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, në seancë gjyqësore teksa po lironte një tjetër të dënuar. Mes të dënuarve janë edhe sekretarja e Gjykatës, Emanuela Mallkuçi ekspert shëndetësor dhe avokati Aldo Tabaku të cilët në bazë të një skeme të mirëfilltë kriminale bënin lirimin e të dënuarve.
Report Tv ka zbardhur skemën e plotë se si ky grup i strukturuar kriminal, siç i cilësonte SPAK, funskiononte. Fillimisht, të dënuarit siguroheshin që të merrnin avokat Aldo Tabaku dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkeleda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt. Hetimi ka provuar se gjithë kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave të konsiderueshme në Euro, që shkonin nga 6 deri 12 000 euro. Në lojë, futej edhe sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuci e cila ndërhynte te shorti, me qëllim që kjo çështje gjyqësore të përfundonte në duar e gjyqtares Enkelejda Hoxha. Më pas, eksperti paraqiste në gjykatë akte të ekspertimit psikiatriko - ligjor të rremë. Pra është e njëjta skemë që është përdorur edhe në lirimin e të dënuarve të tjerë nga kjo gjyqtare, mes tyre edhe anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Dokle, që nis që nga avokati, shorti i manipuluar dhe raportet shëndetësore të falsifikuara.
Emri i ish-gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit ai edhe Hekuran Billa, i vrarë disa muaj më parë në Tiranë.