Lionel Messi

Lionel Messi: Doja që Kupën e Botës të ma jepte Maradona, luta Zotin para penalltisë së fundit

30 Janar 2023, 20:33
  • Share

Lionel Messi ka dhënë një intervistë në Argjentinë dhe konkretisht për "Urbana Play". Pas fitores historike në Kupën e Botës, "Pleshti" foli për atë që përjetoi në Katar deri në suksesin përfundimtar.

Mes fjalëve ra në sy dëshira e tij që Diego Maradona të ishte gjallë dhe të ishte ai që do t'i jepte trofeun e Kupës së Botës.

“Do të doja që Maradona të jetonte, të më jepte trofeun e Kupës së Botës. Kjo foto do të ishte e mrekullueshme. Mendoj se Diego dhe njerëzit e tjerë që më duan nga lart më dhanë forcë”, tha Leo.

Messi mori shumë dashuri nga fansat pasi mposhtën Francën në finale, duke çuar në bllokimin e llogarive të tij në mediat sociale.

“WhatsApp-i im shpërtheu. Fillova t'i përgjigjesha familjes sime, por me ditë u përgjigjesha mesazheve. Kam pasur miliona mesazhe në Instagram, llogaria është bllokuar. Nuk doja foton me më shumë pëlqime, njerëzit thjesht donin të më shihnin me trofeun”.

Messi gjithashtu tregoi se i menaxhon vetë llogaritë e tij dhe jo ndonjë kompani. Ai gjithashtu përmendi se çfarë do t'i thoshte vetes së tij po të ishte 16 vjeç.

“Po të mundja, do t'i thoja vetes sime 16 vjeç se diçka tronditëse po e pret. Se do të ketë një rrugë të bukur, me momente të vështira që duhet t'i dijë”.

Messi foli për marrëdhënien e tij të veçantë me Zotin, të cilit iu lut para penalltisë së Montiel.

“I kërkoja Zotit, i cili ka qenë me mua gjatë gjithë karrierës sime, t'i jepte fund që të mos vuanim më. Zoti po më mbronte. Nuk ka moment më të madh. E falënderoj çdo ditë, nuk mund të kërkoj më shumë", vijoi ylli i PSG.

Ai përmendi edhe ndeshjen me Holandën, festimet para pankinës dhe incidentin me Vehorst.

“Më erdhi natyrshëm. Shokët e skuadrës më thanë se çfarë tha Van Gaal para ndeshjes. Nuk më pëlqen ta lë atë imazh, por doli nga nervozizmi i ndeshjes”, përfundoi Messi duke sqaruar se ndeshja më e vështirë ka qenë ndaj Meksikës në grupe.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?