Lindja e një fluture të bukur

20 Qershor 2016, 14:22| Përditesimi: 28 Qershor 2016, 11:42

  • Share
Fjalët janë të tepërta pas gëzimit të fitores së Shqipërisë ndaj Rumanisë në këtë kampionat Europian të Futbollit. Bëhen të tepërta edhe pas pamjeve, fotove, lumturisë së përcjellë nga të gjithë shqiptarët anembanë globit.
Por ama ia vlen të nënvizojmë 1000 herë e të shpërndajmë një gjë të mirë, të bukur. Bota lëviz me mesazhe dhe imazhe dhe deri tani mesazhet tona, në këtë Europian, për Botën e tërë ishin nga më të mirat: Skuadër e superimpenjuar në fushë për fitoren, ndeshjet një spektakël i vërtetë, tifozeri plot mirësjellje, pozitivitet, hare dhe koreografi spektakolare.
Për mua, që nuk kam shkuar të shoh ndonjëherë ndonjë ndeshje futbolli në stadium dhe nuk di si funksionon organizimi i tifozëve, ishte një magji e jashtëzakonshme. Tifozët e vërtetë e kanë më të lehtë të përfshihen në një ndeshje, por kush nuk është tifoz, kërkon spektaklin. Herë të tjera, para këtij Europiani, ta them me sinqeritet, i përdorja ndeshjet e Kombëtares sonë për t'ia tërhequr një sy gjumë në divanin e shtëpisë. Më dukeshin të ekzagjeruara ato pamjet e festimeve të ndeshjeve të mëparshme në rrugët e Tiranës, kur nuk shihja spektakël në lojën e realizuar në fushë.  As nuk e kisha menduar ndonjëherë të blija një biletë për në stadium, e të merrja rrugën qindra kilometra për të parë ndeshjen e skuadrës sonë. E kam bërë për një teatër, për një opera, për një ndjeshje jo. Nuk më kishte përfshirë deri tani. Disa miq shkuan deri në Francë me makinë, morën dhe fëmijët me vete duke zgjedhur rrugët më ekonomike, arritën të shohin në stadiumet e Francës spektaklin e Kombëtares sonë. Më habisnin, por bënë mirë. Shumë mirë. Të jesh protagonist i një evoluimi kaq të bukur të skuadrës kuqezi nuk ka të paguar, të japësh kontributin tënd në këtë entuziazëm të përmasave globale, merr akoma më shumë vlerë.
Në këtë lumturi të përgjithshme, pamë lindjen e një fluture të bukur nga një larvë e zakonshme futbolli. Shumë vetë e dinin dhe besonin që ishte një rrugë pa kthim e u gëzuan në kohën e duhur duke asistuar e shoqëruar lindjen e kësaj bukurie.
Ne të tjerët, e kuptuam pak më vonë, por jemi gjithashtu mirënjohës për spektaklin e ofruar prej kuqezinjve. Tani urojmë e dëshirojmë që flutura e bukur të fluturojë e jetojë sa më shumë.
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?