Liljana Ahmataj: Të marrësh një
profesion do të thotë që të jetosh

2 Qershor 2016, 08:15| Përditesimi:

  • Share
Liljana Ahmataj i ka kushtuar profesionit si kuzhiniere 33 vite të jetës së saj. Tashmë ajo jep nga përvoja e saj për të rinjtë. Në qendrën “Art in food”, ku e takojmë zbulojmë shumë sekrete të këtij profesioni me të cilat përballen të rinjtë që ndjekin kurset 9 mujore aty. Por Liljana na rrëfen mbi të gjitha arsyet pse prindërit duhet ti drejtojnë fëmijët e tyre në këtë profesion, sidomos kur ata kanë dhunti dhe dëshirë...

Zonja liljana, ta nisim nga karriera juaj, sa vite keni që gatuani? 
Po të marr të gjitha eksperiencat, që nga fillimi i profesionit e deri tani, besoj se kam arritur në 33 vjet.

A ia vlen ky profesion?
Normal që ia vlen përderisa e vazhdoj akoma sepse është një profesion sa i dëshiruar aq edhe i kërkuar. Profesioni i kuzhinës nuk ka mbarim.

Përse ia vlen? Cilat janë arsyet në qoftë se do të bëjmë një analizë, le të themi, të këtyre 33 viteve tuajat, arsye që ju i dini më mirë se askush tjetër, se si ju e keni nisur, si keni vazhduar dhe si keni mbërritur deri këtu?
Në kohën tonë, më parë, nuk merrnim profesionin që donim dhe unë kam vajtur pa dashje te ky profesion, me thënë të drejtën, por duke punuar, avash-avash, dhe xixa e parë që m’u dha, dëshira ndaj profesionit, ka qenë një dasmë që organizohej tek “Arbëria” dhe m’u la që të projektoja një antipastë në dëshirën time. Kjo ngjalli dhe dëshirën e interesin tim për profesionin, sepse kuzhina ka të bëjë pak me qëndisjen. Ashtu siç bën formimin e modeleve apo të kombinimit të ngjyrave, atë ka edhe kuzhina si profesion, kombinim, njëkohësisht modelim, shijim dhe perceptim në mbetjen në kujtesë të klientit ose të personit që e gatuan. Atëherë, në kohën që ti e percepton, shijon dhe të mbetet në kujtesë, atëherë ti e kupton që ke arritur gatimin, ke arritur artin që duhet.

Në fakt, ky koment që ju bëtë është shumë i bukur sepse ka lidhje edhe me estetikën, me shijen dhe me kombinimin dhe besoj se këto 33 vite flasin më së shumti. Sa herë që flet për të gatuarit, për shijen dhe për asortimentet gjithmonë të shfaqet një gamë shumë e gjerë përpara, një botë e madhe. Si do t’ia referonit ju të rinjve këtë botë të madhe të kuzhinës?

Të rinjve do t’ua referoja më tepër që të marrin kurset, të mësojnë në mënyrë teorike, praktike, ta zhvillojnë nëpërmjet shkollave që janë hapur, sepse profesioni është gjithçka. Që të marrësh një profesion, do të thotë që të jetosh dhe sidomos te kuzhina ndien veten ai që ka një dhunti. Kush ka dhunti, e gjen veten tamam. Por, në qoftë se ti ke vullnet mund të arrish çdo gjë.

Mund të na sqaroni pak në lidhje me mënyrën se si funksionon ky kurs, kjo shkollë në qendrën ku ne jemi duke folur tani?
Po. Në shkollën tonë ai nxënës që do të vijë, në radhë të parë, do të njihet në mënyrë teorike të produkteve që do të fantazojë e do të kompozojë për të gatuar, do të njihet gjithashtu me njohuritë teorike të formimit të një kuzhine, të biznesit të impianteve të kuzhinës. Do t’i marrë ato njohuri edhe në anën e arkitekturës, të ndërtimit të një kuzhine në restorant, mënyrën e vendosjes së tyre sa më pranë tokës duhen, mënyrën e veshjes së një kuzhine, arredimit të impianteve të gatimit të saj, që janë të shumëllojshme.

Mund ta zbulojmë emrin e qendrës ku jemi?
Po, ne këtu jemi në qendrën profesionale “Art in food” të kuzhinës, por njëkohësisht kemi edhe pastiçeri, për bukëpjekës, për piceri e gjithçka që ka të bëjë me kulinarinë. Kulinaria do të thotë art gatimi. Fjala kulinari vjen nga latinishtja dhe në qoftë se ti arrin artin e gatimit, me dëshirë, me pasion dhe me shumë vëmendje, normal që do të bëhesh një shef i mirëfilltë. 

Duke iu referuar faktit jo vetëm si shefe kuzhine, por edhe si prind, si do t’i orientonit ata që na ndjekin, kryesisht ata që janë të rinj që ndoshta mund të kenë një pasion por që janë të pavendosur në lidhje me këtë botë të madhe, le të themi.
Unë fëmijën do ta drejtoja në fakultet. Në qoftë se në fakultet do të merrte një 5-së me mik ose me lekë, më mirë do ta çoja në profesion. Nuk shpenzoj, sepse profesioni nuk të bën të pasur, por me të jeton dhe bën një jetë të rregullt. Dhe ndër të gjitha profesionet, ndoshta për arsyen se unë jam kuzhiniere dhe i rekomandoj te kuzhina, por ky është më i dashuri, më i bukuri, më i miri, më fitimprurësi dhe më zbavitësi, sepse kuzhina nuk ka fund. Ashtu siç kemi pasarelat e modës e të veshjes që ndërrojnë, po ashtu edhe kuzhina ka modat e saj, që dikur ka qenë një modë unike, pastaj kaloi në një modë urbane, ndërsa tani jemi në një modë Pikaso, që do të thotë kombinim ngjyrash. Pra, kuzhina evoluon, nuk mbaron. Sado që them se kam 33 vite punë, e ndiej që kam nevojë akoma, nuk mbaron. 

Nuk lodheni kurrë?
Jo, absolutisht nuk lodhem, si në njohuritë praktike, ashtu edhe në njohuritë teorike. 

Zonja Liljana, shumë faleminderit, sepse ishit shumë optimiste në mesazhet që ju përcollët. Besoj se ata të rinj dhe ata prindër që na kanë ndjekur, ndoshta kanë gjetur ato pikat e përbashkëta të takimit për t’i ndjekur dhe për ta bërë jetën e tyre më të suksesshme nëpërmjet kësaj që ju thatë. Ju urojmë vite e vite të tjera në këtë zanat.
Faleminderit shumë edhe juve!

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?