Ligji i ri, 30% e buxhetit të mbetur të bashkive për borxhet, detyrohen t’i shlyejnë! PD: Dembelos kryebashkiakët! Brahimi: Disiplinim financiar

6 Qershor 2023, 16:55| Përditesimi: 6 Qershor 2023, 17:01

  • Share

Komisioni ligjeve miratoi ndryshimet ligjore që detyrojnë bashkitë që 30% të fondit të mbetur në fund të vitit nga buxheti faktik ta kalojë për pagimin e borxheve të prapambetura. Opozita u shpreh se ligji dembelos kryebashkiakët.

Të paktën 30% e fondeve të pashpenzuara nga Bashkitë nga buxheti faktik vjetor do të kalojnë për shlyerjen dhe uljen e detyrimeve të prapambetura. Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet e propozuara nga qeveria për të rritur disiplinën financiare të bashkive.

Deputetët e opozitës u shprehën kundër dhe kërkuan që me këtë çështje të merrej tryeza e reformës administrative territoriale. Sipas tyre ligji dembelos kryebashkiakët.

“Ky ligj nuk vlen, I bënë bashkitë dembele. Duhet ti diskutojmë këto ndryshime në tryezën e reformës territoriale”, tha Dhurata Çupi.

“Ligji nuk i thotë bashkive mos paguani dhe prisni fondin që mbetet. S’është ky synimi. Por nëse fondi mbetet keni për detyrë që këtë pjesë ta kaloni për borxhin e prapambetur”, u shpreh Fran Brahimi, Drejtues i Financave Vendore në Ministrinë e Financave

Një tjetër pikë e debatuar ishte dhe niveli i borxhit, ku përkundër akuzave të opozitës, borxhi në nivel lokal ka rënë.

“Sa është niveli i borxheve të bashkive, ju me të madhe në 2015 sollët si argument që do paguhen borxhet e bashkive. Asokohe ishte 22 mld lekë, tani 8 mld lekë janë borxhet në dijeninë time… 7 Bashki na është thënë në faliment, çfarë është bërë me këto masa”, u shpreh Dhurata Çupi.

“Janë 5.2 mld sot për detyrimet e prapambetura… Ishin 31 mld në fillim të reformës. E kemi konsultuar me bashkitë”, tha Fran Brahimi.

Mazhoranca propozoi që fondi për borxhet e prapambetura të jetë 50% dhe jo 30%, por eksperti i Ministrisë e Financave tha se 30% është vendosur pasi nuk vendos në vështirësi bashkitë.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?