Libri i fundit i Pano Taçit
dhe për Pano Taçin

21 Prill 2013, 05:20| Përditesimi:

  • Share
Këto ditë doli nga shtypi libri “Muzgu vjen pa pritur” me krijimet e fundit të poetit rebel Pano Taçit dhe me shkrime e poezi kushtuar atij nga shkrimtarë, studiues, publicistë - miq, shokë, dashamirës të talentit të tij.

Libri është përgatitur nga “Botimet M&B” dhe shtypur nga “Albanian University”.

Poezitë e këtij vëllimi, që autori nuk arriti t’i shihte të botuara sa ishte gjallë, janë pasqyrë e qartë e tërësisë së motiveve të njohura nga ky poet me fat dramatik deri në fund të jetës së tij.

“Pano Taçin do ta mbajmë mend, - thekson shkrimtari Agron Tufa – si njeriun që iu bind vetëm panit të vet të brendshëm. Nuk bëri asnjëherë asnjë përpjekje për t’i pëlqyer dikujt, për t’i pëlqyer një regjimi, klike apo demagogjie. Prandaj dhe jeta e tij, në vitit më të rëndësishme, plot 24 vite, i kaloi burgjeve e kampeve të internimit, duke e privuar nga gjithçka që kanë vdekatarët e tjerë, duke e privuar nga krijimi i një vatre familjare.

Në këtë shekull të mbushur me egërsi, dhunë e absurditet, Pano Taçi qe i përjashtuar prej çdo lloj feste: fëmijë rebel i shekullit të tij, ai i mbeti besnik, me zemër të sinqertë, vetëm poezisë shqipe.” Vlerësimet, kujtimet, poezitë shkruara për të fill pas vdekjes së poetit janë përfshirë në këtë libër që portretizon individualitetin e tij si njeri dhe si poet.

Emra të njohur në fushën e letrave si Agim Shehu, Mexhit Prençi, Agron Tufa, Fatmir Terziu, Nehas Sopaj, Vasil Premçi, Aleksandër Çipa, Edmond Tupja etj. kanë shprehur konsiderata të larta për këtë personalitet të poezisë shqipe dhe ndjenjat e tyre për humbjen e tij.

“Rilindasi” boton sot një cikël nga këto poezi të fundit të poetit, të pabotuara më parë.


O Zot !

Ç’mendoj shpirtin ma bjerr,
ç’ishim paganë
u bëmë të krishterë,
më pas, muhamedanë.
me ç’u bëmë të pa fe.

O Zot, thuam, kush jemi ne!?
Me ç’duket jemi nopranë.


Ç’më lë…

Pas shpresës, u lidha fort,
ah, medet ç’më tërheq zvarrë!
Udhën për ç’e bëj për mort
ma prin shpresa duke qarë.

S’qe një muaj a një mot
ti ngrys ditët shkarë shkarë…
Po ç’më lë të rroj o Zot
t’i shtyj vitet shpresë vrarë!?…


Darka

Jam bërë si hije muzgu,
udhët i bëj ca nga ca.
Kutërboj aromë burgu,
ndaj zë hundën kush më pa.

Tri ditë pa ngrënë bukë,
zorrët lëmsh i kam në bark.
Më gjeti vdekja në rrugë
dhe më ftoi të hanim darkë.

Për dore nga pas më mori,
te varrezat për ushqim,
kokallat ajo ia nxori
nga qivuri atit tim.

Më tha: -Nga krimbat ndai
kockat që m’i vu përallë.
-S’ke se ç’ha, më tha babai,
m’i ke ngrënë sa isha gjallë!


Mallkim

Mallkoj veten që kot rroj,
mallkoj jetën që më mban,
mallkoj varrin ku do shkoj,
lotin që ma bën haram.

Mallkoj ditën që kam lindur,
mallkoi çastin që do vdes,
mallkoi shpresën për ç’jam grindur,
se më doli e pa besë.


Mesnatës vonë

Kjo që them s’është rrëfenjë.
Hije dal mesnatës vonë.
Bëj të gjejë diçka të denjë
për fatin që më lëngon.

Për shok pas më bëhet qeni
që këmbën ia thyen me gur,
në kosha plehrash na gjeni
ç’jemi t’uritur që kur.

Ç’na i bren shpirtin një tenjë,
zemra në gji na zezon.
Në akull grirë çdo ndjenjë
na rri brenda gjirit tonë.

Jam unë me qenin shok
somnambul tek bredhim bashkë.
Për ne që çalojmë ulok
Krishti kot ngjallet në Pashkë.

O qen, s’ke se ç’t’i kërkosh
jetës që na vë përposh,
si gur ç’na shtyn në humnerë,
Në kohën tonë turp të rrosh
që të vdesësh është nder.


Këpucët e mia

I kam një palë këpucë,
pa bojë e shoje ngrënë
udha m’i bëri me llucë
pas mikes që më ka lënë.

Fatlum janë të tjerat,
të mijavet zemra u plas,
të shtrihen te bumbushirat,
sandalet i ndehin pas.

Mike këpucët m’u bënë,
vetëm me shpresë gënjejnë…
çapiten ngjyer me hënë
gjurmët sandales t’i gjejnë.

Tani të ngjyer me hënë,
për ca këpucë të tjera
të mijat meit u bënë
tek shohin, lehtë si era
që ndjekin sandalet pas,
të puthen në bumushera
për çka i cyt dashuria.
Me zili e plolt maraz
Ç’kanë këpucët e mia
I shoh si zemra iu plas. .

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?