Libra/ Delphine de Vigan:
Asgjë s’i kundërvihet natës

17 Korrik 2016, 09:00| Përditesimi:

  • Share
A arrijmë t’i njohim deri në fund prindërit tanë, misteret, vuajtjet, halucinacionet, fëmijerinë dhe familjen që i ka formuar, e që kanë ndikuar gjithmonë mbi ta dhe mbi ne, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme?
Në 2008, në moshën 71-vjeçare, Lysila vret veten. Këtë do ta zbulojë e bija, Delfina, autorja e këtij libri. Një mëngjes janari, ajo hyn në dhomën e saj dhe e gjen të ëmën shtrirë në shtrat, pa fill jete. Pyetjes “pse e bëri?” nuk mund t’i gjesh përgjigje dhe Delphine de Vigan, prej kohësh shkrimtare e njohur, i bën ballë tundimit për t’i kushtuar një libër. Por, “një dritë e fshehtë që vjen nga e zeza” e cyt dhe e shtyn të marrë penën në dorë, sidoqoftë e sigurt që “me anë të të shkruarit asgjë s’mund të zbulosh. E shumta, të jep mundësinë të ngresh pyetje e të rrëmosh në kujtesë”.
Lysila ishte një grua e bukur, që e admironin dhe e donin të gjithë, por që mbarte brenda vetes një plagë të thellë. “Dhembja e Lysilës, nënës sonë, na ka shoqëruar të dyja, mua dhe time motër, përgjatë fëmijërisë, e më pas, në gjithë jetën tonë... Familja ime personifikon njëherësh, anën më të gjallë dhe të mahnitshme të haresë dhe jehonën e pareshtur të të vdekurve, trokitjen e fatkeqësisë. Sot jam e vetëdijshme që ajo pasqyron, ashtu si në shumë familje të tjera, fuqinë shkatërruese të Fjalës dhe të heshtjes.

Ky libër ndoshta nuk është gjë tjetër veçse historia e një kërkimi, i cili mbart në vetvete gjenezën e tij, përçartjet e rrëfimit, përpjekjet e pambarimta. Një lloj hovi, ndonëse ngurrues dhe i mangët, nga unë te nëna ime.” Në këtë kërkim të jashtëzakonshëm në thellësitë e kujtesës së familjes, aty ku kujtimet më të shndritshme jetojnë krah për krah me sekretet më të tmerrshme, shpalosen me forcë të gjitha jetët tona, mëkatet dhe plagët e
tyre. "Asgjë s'i kundërvihet natës" ka fituar katër çmime të rëndësishme (Prix du roman Fnac 2011; Prix Renaudot des lycéens 2011; Prix roman France Télévisions 2011; Grand prix des lectrices de Elle 2012) dhe ka shitur mbi gjysmë million kopje vetëm në Francë. Ai është përkthyer në tridhjetë vende të botës.

Kritika letrare e ka vlerësuar këtë roman për artin e rrëfimit por edhe dramën e ngjarjeve dhe personazheve.  Le Figaro shkruan: “Kthjelltësia, modestia, delikatesa, objektiviteti, arti i rrëfimit... Kjo biografi familjare na rrëmben nga fillimi deri në fund. Kjo odise vetjake dhe universale është tërheqëse, çorientuese, tronditëse... Mjeshtërore”.
Por ndoshta, aspekti më mahnitës i këtij romani, siç shkruan edhe “The Neë York Times” është fakti që, teksa prekim qendrën e tragjedisë, autorja na shtyn papritmas në zemrën e zhurmshme, të çmendur dhe aq bujare të së ëmës dhe të familjes së saj të hareshme e të shkatërruar.

Ndërsa “L'Express” vlerëson se romani  “Asgjë s'i kundërvihet natës” është një rrëfim delikat dhe tërheqës, që i bën jehonë plagëve të secilit prej nesh...
Delphine de Vigan është autorja e mirënjohur e bestsellerave "No et moi", "Rien ne s'oppose à la nuit" dhe "Les Heures souterraines" të përkthyer në mbarë botën. Ajo është autore e shtatë romaneve falë të cilave ka fituar shtatë çmime të ndryshme letrare, midis të cilave çmimin “Renaudot des lycéens” (2011), çmimin “Fnac” (2011) dhe Çmimin e librarëve (2009). Autorja ishte gjithashtu një nga finalistët e çmimit “Goncourt” në vitin
2009. 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?