Flamuri i BE-së dhe flamuri i Kosovës në Prishtinë

Liberalizimi i vizave për Kosovën në margjinat e Samitit të BE-së

22 Qershor 2022, 15:39| Përditesimi: 22 Qershor 2022, 15:42

  • Share

Disa diplomatë të vendeve të Bashkimit Evropian vazhdojnë të thonë se vendet e tyre po bëjnë përpjekje që nga Samiti i BE-së, që do të zhvillohet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, të shprehet mbështetje e qartë politike për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo do të shërbente pastaj si një pikënisje për procedurën, e cila do të iniciohet në grupet punuese të Këshillit, ku edhe do të merreshin vendimet.

Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave. Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti. Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian ka mbështetur dhe ka dhënë pëlqimin e vet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Mbështetjen e Parlamentit Evropian e ka përsëritur të mërkurën edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas takimit që ka pasur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Metsola ka shkruar në Twitter se “liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa vonesa”. Por, çështja gjithmonë ka mbetur e bllokuar në Këshillin e BE-së. Tash, pasi çështja është ngritur në nivelin më të lartë politik dhe liberalizimin e vizave e kanë mbështetur disa liderë të vendeve anëtare edhe publikisht, janë rritur gjasat që të nisë pocedura. Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ka qenë i paraparë që të jetë formalisht në agjendë, por është përmendur mundësia që të shprehet mbështetje politike.

Një zyrtar i lartë i BE-së, i cili foli me gazetarët për përgatitjen e samitit, tha se “nuk përjashtohet mundësia që dikush nga liderët ta ngrisë këtë çështje në takimin e Këshillit Evropian”, por shtoi se “nuk ka indikacione të qarta sipas së cilave do të mund të thuhet se heqja e regjimit të vizave do të ndodhë”. Në pyetjen se a kanë hequr dorë nga kundërshtimi i tyre vendet si Franca dhe Holanda, ai tha se “për këtë duhet pyetur Francën dhe Holandën”. Burimet diplomatike vazhdojnë të thonë se, pa marrë parasysh se a do të përmendet apo jo formalisht në ndonjë deklaratë nga BE-ja, çështja e liberalizimit nuk përjashtohet që të zhbllokohet dhe të nisë procesi në grupet përkatëse punuese të BE-së.

Por, kjo është një procedurë që zgjat dhe nuk mund të paragjykohet afati kohor se kur do të mund të ndodhë. Në samitin e Bashkimit Evropian, do të përsëritet përkushtimi i BE-së për perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa do t’u ndahet statusi i kandidatit dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë./REL

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?