LEZHË- Gjykata e Lezhës ka gjetur fajtor dhe dënuar me 4 vite burg një 61-vjeçar, i vënë nën akuzë për ngacmim seksual të një vajze të mitur. Vasel Nilaj u arrestua në janar të vitit 2020, pasi dyshohej se kishte abuzuar seksualisht një vajzë me aftësi të kufizuar, por pak muaj pas arrestimit nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi, se 61-vjeçari nuk kishte abuzuar seksualisht me të miturën dhe menjëherë gjykata e liroi nga qelia, duke vendosur që të hetohet në gjendje të lire.
Në përfundim të hetimeve prokuroria e dërgoi çështjet për pushim me pretendimin se nuk gjeti element të veprës penale, por gjykata e urdhëroi që ndaj 61-vjeçarit të ngrihej akuzë për veprën penale "Ngacmim seksual" dhe çështja kaloj për gjykim. Sipas të dhënave prokurori Erjon Shehaj ka kërkuar pafajësi për të pandehurin me pretendimin se nuk ka element të veprës penale, por gjyqtari Ilir Përdeda e dënoi atë me 4 vite burg, pasi gjatë gjykimit është provuar kryerja e veprës penale.
Referuar raportit të policisë, bëhet me dije se 61-vjeçari e kishte ngacmuar vajzën e mitur tek shkolla në fshatin Kolsh të Lezhë. Sapo kanë konstatuar rastin, stafi i shkollës ka njoftuar policinë dhe nga punonjësit e policisë është marrë kontakt me personin konkret duke e pyetur për arsyen e qëndrimit tek shkolla. Në momentet e para ai është identifikuar si Vasel Nilaj, duke pohuar se vajzën e ka mbesë, në atë shkollë dhe më pas është marrë, por pas kontakteve me drejtorin e shkollës dhe mësuesin kujdestar, të cilët kanë deklaruar se ai nuk ka lidhje me nxënësen .
Denoncim në polici në lidhje me rastin u bë dhe nga familjaret e të miturës dhe menjëherë, blutë bën arrestimin e Vasel Nilaj. Gjithashtu në momentin e ndalimit ai u kap, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Sipas të dhënave ai është aktualisht në burg, pasi është kapur sërish duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.