Lezhë/ Prindërit e nxënës të Balldrenit në protestë për transportin

7 Nëntor 2023, 16:22| Përditesimi: 7 Nëntor 2023, 16:30

  • Share

Prindërit dhe nxënësit e fshatit Balldren në Lezhë kanë protestuar sot pasi detyrohen të qëndrojnë çdo mëngjes 1 orë në oborrin e shkollës. Ata thanë se autobusi i sjell herët në shkollë, pasi kompania ka vetëm një mjet transporti.

Zgjidhjen e kërkojnë nga Drejtoria Arsimore e Lezhës. 

Prindërit të shqetësuar thanë se kompania e transportit ka vetëm një autobus për të gjithë nxënësit e fshatrave Balldren dhe Kakarriq, ndaj ata i transporton të parët në orën 7 pa 5. 

“Duhet t’i bësh gati, vjen furgoni në 7 pa 5 dhe vonohen dhe kur kthehen. Rrinë 8 orë në oborr të shkollës. Kjo nuk është e drejtë. Kam një në klasë të parë dhe një jashtë shtetit. Me lënë punën s’mund të jetoj. Vec me ik nga ky vend” - është shprehur një prind.

Ne i ndoqën nxënësit në këtë itenerar dhe pamë se autobusi mbërrin në shkollë brenda 10 minutash. Fëmijët qendrojnë një orë në oborr derisa të nisë mësimi.

Edhe në kthim kanë të njëjtën problematikë.  Mes tyre ka dhe fëmijë 5 vjecarë në parashkollori. Prindërit kërkojnë të gjendet një zgjidhje pa ardhur dimri dhe shirat. 

“Si nuk është problem? Në 6 jam zgjuar për të bërë gati 4 fëmijë. Rrinë në shkollë që në 7.  Është problem shumë I madh se vjen dimri dhe bën ftohtë. Nga kopshti deri në klasë të 6 deri në 2 rrinë jashtë”- është shprehur një tjetër prind.

Shërbimi i transportit për nxënësit e Balldrenit mundësohet nga Drejtoria Arsimore e Lezhës e cila ka kontratë me një kompani private.

I kontaktuar për këtë çështje Drejtori, Hasan Muça, tha se do të zhvillohet një takim me kompaninë e transportit për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike.
 

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?