Armand Duka nuk ndalet, i merr të 8-a shoqatat rajonale të futbollit! Me Lezhën përmbyll procesin e trukimit të zgjedhjeve! Tani beteja në prokuroritë e rretheve

9 Shkurt 2022, 14:00| Përditesimi: 9 Shkurt 2022, 17:52

  • Share

Shoqata Rajonale e Futbollit në Lezhë ishte e fundit që përmbylli një proces të manipuluar zgjedhjesh për kryetarët dhe delegatët që do të votojnë në 2 mars për presidentin e ri të FSHF. Me dyshimet se është apo jo e regjistruar në gjykatë, Shoqata e Lezhës zgjodhi 3 delegatët, Kristjan Xhidodajn, Dario Palin dhe Leonard Preloshin, të cilët çuditërisht kanë propozuar Sulejman Starovën për president të FSHF-së.

Por kjo duket një tjetër manovër për të krijuar kundërshtarë të rremë për ‘perandorinë’ e Dukës. E enjtja është afati i fundit që anëtarët e klubeve e shoqatave të propozojnë kandidatët për president dhe për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv në FSHF.

Armand Duka deri tani ka marrë tre propozime publike, të Korçës, Gjirokastrës e Shkodrës, ndërsa edhe Dritan Shakohoxha ka thënë në Report Tv se ka marrë 5 propozime për të garuar si president. Emri i ri që del në skenë për garën e 2 marsit është ai i trajnerit të njohur Suljeman Starova që propozohet nga Shoqata e Lezhës, por i duhen edhe 4 propozime të tjetra për të qenë kandidat zyrtar.

Gjithsesi paraprakisht me mbylljen e zgjedhjeve në tetë shoqatat rajonale të futbollit, Duka ka çimentuar  përmes presionit e mashtrimeve, mandatin e 6 në krye të FSHF-së me gati gjysmën e votave.

Mirëpo për shkak të shkeljeve të rënda, si shtimi i numrit të anëtarëve në asamble me urdhër të FSHF-së, apo mungesës së qëllimshme të informacionit, zgjedhjet në shumë shoqata rajonale të futbollit kanë shkuar në prokurori. Deri më tani rrugët ligjore i ka ndërmarrë Durrësi, Tirana, Gjirokastra dhe Shkodra. Pa harruar këtu kundërshtimet e forta të Fierit dhe Korçës, që pretendojnë se me urdhër të FSHF-së janë manipuluar anëtarët në shoqatat përkatëse, me qëllimin përfundimtar që më 2 mars të votojnë Armand Dukën.

 

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?