Leka Bungo: Në vend që të heshtin
Ish persekutorët shkruajnë kujtime

25 Prill 2013, 05:00| Përditesimi:

  • Share
TIRANE -Regjisori flet për shfaqjen e dramës satirë shkuar nga Pëllumb Kulla. “Ja mesazhet, që do të emocionojnë publikun e kryeqytetit për tri net radhazi”

Do të duhej të heshtnin, por nuk e bëjnë. Me kujtimet që botojnë vit pas viti ish-persekutorët e regjimit prej 20 vitesh nuk bëjnë gjë tjetër veç mahisin plagët e dikurshme.

Regjisori i mirënjohur, mjeshtri i madh, Leka Bungo e thekson fort mesazhin e veprës që e riktheu pas 10 vitesh në skenën shqiptare. Bëhet fjalë për dramë satirë, shkruar nga miku i tij Pëllumb Kulla me titull “Shshshshs, fol me zë të ulët", e cila shënoi një sukses të padiskutueshëm në Fier.

Ngjarjet e kësaj drame satirë vendosen në një ambasadë, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, gjatë tranzicionit. Historia ka të bëjë me korrupsionin, me bindjet politike të atyre viteve dhe mënyrën se si këto shprehen e përcillen në këtë ambasadë. Për mesazhet ngacmuese të kësaj vepre, të cilën autorët kanë vendosur ta sjellin në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë (të premten, të shtunën dhe të dielën në orën 20:00) flasim në këtë bisedë të shkurtër.

Z. Bungo pas suksesit në Fier të dramës satirë “Shshshshs, fol me zë të ulët", shfaqja juaj vjen në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Çfarë domethënie ka për ju ky stacionim i ri dhe përballja e mesazheve të kësaj vepre me publikun e kryeqytetit?
Natyrisht është eveniment shfaqja për spektatorin kryeqytetit pas pritjes dashamirëse dhe të ngrohtë që na bëri publiku i tetarit profesionist të Fierit. Shpresojmë të mos e zhgënjejmë spektatorin kryeqytetas. Teatri i fierit është një teatër me traditë, dhe trupa e tij nuk vjen për herë të parë në një përballje artistike me spektatorin kryeqytetas.

Aktorët e teatrit profesionist të Fierit në këtë spektakël interpretojnë krahas aktorëve të nderuar si nderi i kombit Robert Ndrenika dhe aktori i shquar Viktor Zhusti. Ne shpresojmë që ashtu si spektatori i Fierit, kryeqytetasit të lexojnë mesazhet serioze që përcjell drama e shkruar nga shkrimtari i mirënjohur Pëllumb Kulla dhe të emocionohen prej tyre.

Unë jam i mendjes që këto mesazhe të virgjëra që hedhin dritë edhe mbi plagët e ditëve që jetojmë do të bëjnë që shfaqja të ndiqet me interes të veçantë, kjo për arsyen që spektatorët të gjejnë vetveten, hallet e tyre, Shqipërinë e tyre në këtë dramë satirë.

Kujtimet e ish-njerëzve të regjimit, që botohen dendur viteve të fundit, dhe zemërimi që shkakton publikimi i tyre tek ish të dënuarit zënë vend kryesor në këtë vepër... Çfarë mund të veçojmë nga mesazhet e kësaj vepre?
Po një nga mesazhet që përshkruan gjithë veprimi dramaturgjik është ai që zbulon një plagë e cila është mahisur gjatë këtyre 20 vjetëve pas rënies së regjimit diktatorial. Personazhi që mbart këtë mesazh është një ish i burgosur politik, i cili në pikën kulmore të dramës, lëshon një britmë kur i drejtohet ish-drejtorit të burgut politik famëkeq të Burrelit: ju shkruani kujtime pafund, sepse jemi ne që kemi heshtur. Në vend që të ulërijmë ne që rriheshim, ankoheni ju që na rrihnit...”. Kjo është kuintesenca e mesazhit që përcillet në sallë me emocion nga aktorët.

Por për tu veçuar është edhe një mesazh tjetër po kaq i freskët si ai që autori nënvizon në veprën e tij, rrezikun e rikthimit të luftë së klasave. Autori bën thirrje për humanizëm njerëzor, pasi kjo është ajo çka i nevojitet më shumë se kurrë sot, Shqipërisë. Mendoj se kjo Dramë satirë është një nga veprat më serioze të gjithë krijimtarisë dramaturgjike të pëllumb Kullës.

Kanë botuar së fundmi kujtime edhe Nexhmije Hoxha, edhe Ramiz Alia...edhe shumë-shumë njerëz të fuqishëm të atij regjimi. A mund të flasim në emra të përveçëm kur debatojmë rreth këtyre kujtimeve?
Është me vlerë të flasim për fenomenin dhe mund të them se në një mënyrë artistike, kujtimet e tyre përbuzen nga autori i kësaj drame satirë. Ai bën thirrje për harresë. Kjo e bën veprën më emocionale. Ndërkohë që ish të përndjekurit bëjnë thirrje që të harrohet këta bëjnë krejt të kundërtën, i mëshojnë një plagë që nuk është mbyllur ende.

Çfarë do të veçonit nga puna me aktorët? Trupës profesioniste të fierit iu bashkëngjit në këtë shfaqje edhe dyshja e mirënjohur Ndrenika-Zhusti...
Ka qenë një proces pune mbresëlënës, por një nga aktorët që dua ta veçoj e që rri me dinjitet krah aktorit të madh Robert Ndrenika dhe Viktor Zhustit, është aktori i trupës së fierit, Astrit Hasani, i cili në vepër interpreton rolin kryesor. Veç tij edhe të tjerë aktorë të teatrit profesionist të Fierit shquhen për një lojë realiste plot emocion duke krijuar kështu një ansambël dhe spektakël me pretendime profesionale.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?