Lefter Alla në burg dhe i shkarkuar nga Rama, Këshilli Bashkiak i Bulqizës zgjedh drejtuesin provizor të bashkisë

31 Mars 2023, 14:30| Përditesimi: 31 Mars 2023, 14:45

  • Share

Pas arrestimit të Lefter Allës nga SPAK dhe pas shkarkimit të tij nga Kryeministri Rama, Këshilli bashkiak i Bulqizës ka zgjedhur një kryetar provizor për të kryer funksionet.

Këshilltarët kanë zgjedhur kryetarin e tyre, Gëzim Xhafa për zëvendësues të Lefter Allës. Pasi dha dorëheqjen nga drejtimi i këshillit, Gëzim Xhafa ishte i vetmi kandidat që hyri në garë, duke marrë 11 vota nga 16 anëtarë të pranishëm, 4 kundër e 1 e pavlefshme. Pas vendimit të sotëm të këshillit bashkiak, Xhafa do të nisë detyrën pas konfirmimit të vendimit nga Prefekti i Qarkut Dibër.

Kujtojmë se prej dy javësh, paraplegjikët dhe tetraplegjikët në Bulqizë nuk kanë marrë pensionin e invaliditetit. Shkak është bërë mungesa e firmës së kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, i prangosur për abuzim me tendera.

Lefter Alla është shkarkuar nga detyra nga kryeministri Edi Rama, për shkelje të rënda, pas arrestimit nga SPAK për abuzimet me tenderat publike, duke favorizuar kompanitë e të afërmve të tij.  

Bashkë me 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë, ranë në pranga për abuzim me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Në pranga ka rënë edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi. Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Lefter Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri.  Më 18 mars, GJKKO caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për kryebashkiakun e Bulqizës, dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar. Gjatë dëshmisë së tij, Alla i konsideroi akuzat si sulme politike ndaj tij.

Neni 61 i ligjit 'Për vetëqeverisjen vendore'

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?