“Veneto Banka” kalon me
sukses “stres testin”e BQE

29 Tetor 2014, 17:41| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Grupi bankar “Veneto Banka” ka përballuar me sukses “stres testin” e bërë nga Banka Qendrore Europiane, duke u renditur një nga grupet më të mira në Europë. Ishte Drejtori i Përgjithshëm i “Veneto Banka” për Shqipërinë, Daniele Scavaortz, që renditi disa nga pikat kryesore, falë të cilave, ky grup bankar arriti të renditej ndër bankat më të mira europiane. Raporti u publikua nga Banka Qendrore Europiane ditën e Diel, dhe ishte një matësit më të mirë të qëndrueshmërisë së sistemit bankar europian.
 
“Është një kënaqësi që paraqitemi. Mund të themi me kënaqësi se grupi “Veneto” është një nga 13 bankat më të mira italiane që janë njohur si të tilla nga Banka Qendrore Europiane, pasi ka kaluar një rrugë të gjatë e të vështirë. E them se ka qenë i vështirë, sepse BQE ka ndjekur një proces vlerësimi shumë strikt, të detajuar, shumë të fortë e shumë rigoroz, si dhe shumë të thellë; që ka filluar në fakt me vlerësimin e aseteve dhe riskut nga kreditë. Dhe nga ky këndvështrim bankat italiane treguan një soliditet të qartë. Dhe të gjitha kaluan fazën e parë. Nga 15 grupet bankare që të 15-ta e kaluan testin e parë. Faza e dytë ka qenë edhe më impenjative me “stres testet”, ku vlerësohej reagimi që mund të ketë banka përballë një goditje të tregjeve financiare. Edhe në këtë fazë të dytë, grupi “Veneto Bank” është renditur ndër grupet e para europiane dhe kjo falë ndërhyrje të fortë në kapitale, veçanërisht gjatë vitit 2013, që ka bërë grupi jonë bankar. Dhe mund të them se grupi jonë bankar ka patur një përgjigje shumë entuziaste nga ortakët, që kanë shkuar në pothuajse 90 mijë, dhe që na bëjnë të shikojmë nga e ardhmja me më shumë optimizëm; dhe me një bazë të fortë klientësh bashkëpunëtorë, që na bëjnë të shikojmë nga e ardhmja me më shumë optimizëm në Shqipëri”, tha Daniele Scavaortz, Drejtori i Përgjithshëm i “Veneto Banka”.

Daniele Scavaortz
(Në foto: Drejtori i Përgjithshëm i “Veneto Banka” për Shqipërinë, Daniele Scavaortz)
 
Në lidhje me të ardhmen e “Veneto Bank” në Shqipëri, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se do të vazhdojë zgjerimi dhe dhënia e kontributit për zgjerimin e aktivitetit bankar dhe rritjen e ekonomisë. Zoti Daniele Scavaortz tha se grupi i tij bankar beson te Shqipëria.
 
“Ne besojmë shumë te tregu shqiptar. E kemi gjetur këtë bankë me 15 mijë kredi të dhëna për ekonominë dhe e kemi çuar numrin në 120 mijë. Kujtoj që grupi jonë është në Shqipëri që nga viti 2009, dhe ka bërë shumë investime, duke hapur shumë filiale në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë. Kemi qenë një bankë e vogël dhe jemi rritur në gjithë Shqipërinë. I kemi dhënë forcë ekonomisë shqiptare. Jo vetëm në termat e reciprocitetit me Italinë, por edhe dhënë kontributi në rritjen e tregut. Kemi bërë investime edhe në bizneset dhe sipërmarrjet shqiptare. Ne do të vazhdojmë t’i japim forcë pranisë tonë në Shqipëri, dhe do të punojmë me pasion, për të dhënë një ndihmë të madhe për rritjen e tregut shqiptar dhe zhvillimin e tij edhe më shumë. Ne duam të jemi protagonistë të vendit që po bën hapa të mëdhenj drejt Europës. Shqipëria është një urë në Ballkan, por edhe një vend shumë i rëndësishëm”, u shpreh Daniele Scavaortz.
 
“Veneto Banka” ndodhet në Shqipëri që prej vitit 2009 dhe nga ajo periudhë ka arritur të renditet ndër bankat më të qëndrueshme të sistemit.

veneto banka
 
Redaksia Online
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?