“Sëmundja e rëndë” e
Spitalit të Traumës

18 Janar 2014, 07:24| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- “Spitali Universitar i Traumës”, duhej të ishte niveli më i lartë i shërbimit mjekësor dhe i shërbimit, por gjendja dhe ajo që ky institucion ofron është larg çdo pritshmërie. Realitetin që gjen në atë që të gjithë e njohin me emërtimin e vjetër  si “Spitali Ushtarak”, mund ta përshkruash vetëm nëse fatkeqsia të ka çuar në dyert e tij.

Gjendja
Kaosi nis që në derën e spitalit. Automjete të shumta, jashtë çdo lloj rregulli të qarkullimit e bëjnë të turbullt pamjen që në hyrje. Një ambulance të vogël me targa të Laçit, i duhet të pres disa minuta në trafikun  e rënduar në hyrje të derës. Një e bërtitur e rojes, duket se ndërgjegjëson një drejtues mjeti se në autoambulancën pas tij, një pacient është në gjëndje të rëndë dhe i duhet të hyjë në qëndrën spitalore.  Kishin kaluar orë që nga koha që makina ishte nisur nga qyteti verior, ndaj edhe shoferi që kishte marrë rolin e heroit, duket se filloi ta shfaq hapur revoltën e tij për ktë pritje jo dinjitoze që po i bënin .

Është e qartë, nëse nuk ke qënë më parë në atë spital, s’mund të gjesh drejtimin mes tabelash të munguara dhe tufa njerëzish që ecin kuturu. Makina e vogël drejtohet me shpejtësi në drejtim të portës ku bëhet pranimi i traumave. Sirena e autoambulancës dëgjohet në të gjithë spitalin por bluzave të bardha u duhen më shumë se dy minuta për të dal me një barrelë. Më pas vjen edhe një krevat me rrota për të marrë pacientin. Hapja e derës nga shoferi, shoqërohet nga të bërtiturat e forta të një burri rreth të gjashtëdhjetave që duket se ka rënë nga një lartësi për shkak se ka fraktura të forta në këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

Të gjithë japin një ndihmesë për kalimin nga njëra barrel në tjetrën pasi dy mjekët që u afruan e kanë të pamundur t’ja dalin të vetëm. Dhoma e mjekimeve të traumave është e mbushur plot. Pacientë, mjekë, infermier që vrapojnë nga njëra sallë në tjetrën, familjarë dhe madje edhe katër punonjës policie. Në të njëjtën dhomë është edhe një i burgusor i cili pasi është përfshirë në  një konfrontim fizik brënda qelive, është sjell për të marr mjekimet e nevojshme. Është e tepër të pretendosh për rregull dhe shërbim cilësor në një vend kur kaosi është kryefjala e gjithçkaje.

Higjena
Ecjet në koridoret e spitalit të Traumës, të përballin me një ambjent  që duket sikur ka kalur një gjëndje lufte. Disa çarçaf janë lënë në një cep të koridorit, ndërsa pak me tej një qese mbetjesh spitalore është vënë në një karroc. Krevatet e pacientëve  zvarriten koridoreve mes dhimbjeve të sëmundjes dhe shijes së hidhur që lënë ato pamje. Muret e kanë humbur ngjyrën e dikurshme. Në përpjekje për të rregulluar ato copa të rëna nga cilësia e keqe e punimeve, sheh pjesë muresh të rregulluara së fundmi dhe lyer me të bardhë. Dhomat janë të vogla. Të ftohta.

Shtrimi në atë spital duhet të shoqërohet me patjetër me një set  rrobash të marra me vete. S’dihet kur ka qënë hera e fundit që kjo qëndër spitalore është furnizuar me shtretër dhe pajisje të tjera spitalore. Mjekët e sallave të reanimacionit i sheh të hyjnë e të dalin shpesh me maska në fytyrë, nga sallat e operimit. Hapja e derës së kësaj salle krijon një efekt të menjëhershëm tek familjarët, që brënda pak sekondash mblidhen furishëm dhe të gjithë pyesin “Hë doktor si është?”, “Shpëtoi?”, “Gjall është?”, “Do bëhet më mirë?”.

Fjalët e atij mjeku janë vendimtare për familjarët. Ato fjalë ndajnë jetën me vdekjen. Mungon një rrugë për të çuar të operuarit nga salla e operacionit në katet e mësipërme. Kjo është edhe nga skenat më të rënda. Mjekëve u duhet të ruajnë me trupin e tyre pacientin, pasi të njohur e të panjohur afrohen dhe ja nisin të qarave. Pacientit i duhet të pres disa minuta, derisa ashensori me të cilin ai duhet të lëviz të vij në katin e parë.

Pritshmëritë
“Spitali Universitar i Traumës”, nuk përmbush pritshmëritë e askujt. As të familjarëve, as të mjekëve dhe as të vetë autoriteve. Familjarët harrohen pas njerëzve të tyre dhe nuk u kushtojnë shumë rëndësi kushteve dhe asaj që gjejnë në këtë spital. Mjekët, bëjnë çtë munden dhe justifikohen me faktin që po punojnë dhe po ja dalin edhe me të tilla kushte. Autoritet shmangin përgjegjsinë duke ja deleguar përgjegjësinë njëra-tjetrës sa herë që ndërrojnë pushtetet. E vërteta është që kjo qëndër spitalore është ndalur në pamundësi. Kaosi e ka përfshirë dhe duket se nuk do të ketë asnjëherë rregullsi…


Shkrimi u publikua sot (18.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?