“Repolitix”, studentët-politikanë
rrëfejnë 8 Dhjetorin 1990

8 Dhjetor 2017, 21:57| Përditesimi:

  • Share
8 Dhjetori i vitit 1990 ka qenë tema e emisionit “Repolitix”, i transmetuar mbrëmjen e së premtes në “Report TV”, me një panel të përbërë nga Kreshnik Çollaku, Gazmend Oketa, Gjergj Koja dhe Ilir Yzeiri, asokohe studentë.

Për një gjë të pranishmit kanë rënë dakord, se prapa studentëve nuk ka pasur asnjë skenar që mund t’i ketë vënë ata në lëvizje.

“Mund të ketë shumë konspiracione, por diçka duhet të jetë e qartë. Ajo është një lëvizje që e prodhoi lirinë. Pastaj erdhën ato ngjarje që pasuan, ndodhi çfarë ndodhi, me një shkatërrim dhe raskapitje të demokracisë në ‘96 e që ia pamë hajrin në ‘97”, tha Koja.

Në të njëjtat linja, Çollaku u shpreh se sot është PD ajo parti që ka trashëguar më shumë se të tjerat atë lëvizje. “Pas lëvizjes u shporr kasta e vjetër politike. PD solli demokracinë, hyri në politikë. Më së shumti trashëguesja e asaj lëvizjeje është PD”, ka thënë Çollaku.

“Jo vetëm lëvizja studentore ishte e sinqertë, por gjithë shoqëria shqiptare ishte e sinqertë. Pati rrëzim të busteve në disa qytete, që kulmuan me rrëzimin e bustit në Tiranë”, tha Oketa. Edhe analisti Ilir Yzeiri theksoi se, lirinë e fituam vetë.

Sa i takon qeverisjes dhe qeverisjeve që pasuan, të pranishmit ishin paksa të ndarë. Për Kojën, problemi i parë ishte infiltrimi i regjimit të kaluar, që bëri që krimet e komunizmit të mos zbardheshin dhe më pas mungesa e përgatitjes së klasës politike për të qeverisur.

“Infiltrimi i regjimit u duk në vazhdimësi, kur bëri që të mos hapeshin dosjet. Kjo ishte pika më e errët. Dosjet nuk u hapën kurrë. Pastaj ky ishte një vend me një klasë politike të papërgatitur për të çuar vendin përpara. Kishte shumë aspekte dhe më i rëndi mes tyre kishte krime politike”, tha Koja. Duke komentuar situatën aktuale shumë vite më pas, Koja u shpreh skeptik edhe sa i takon nismave ligjore parlamentare të ndërmarra së fundmi. “Kemi ende shumë rrugë për të bërë dhe nëse në 6 muajt e parë të 2018-s bëhen ato që janë premtuar unë shqetësohem për diçka, kush do të zëvendësojë politikën e kalbur që do të arrestohet? Nuk ka vetting në drejtësi pa vetting në politikë”, tha Koja.

Nga ana e tij, Çollaku vlerësoi se në të kaluarën PD që mori qeverisjen mund të ketë bërë gabime, por sipas tij ato nuk ishin të vullnetshme. “Mund të ketë patur shumë defekte, por këto nuk janë çështje të një vullneti të caktuar. Paaftësia e një qeverie nuk ka lidhje me rrymën që erdhi”, atëherë, tha Çollaku. 

Duke iu përgjigjur Kojës, ish-deputet i PS, Çollaku kujtoi se si ministrat e qeverisë aktuale janë kapur në përgjimet e Antimafias duke bashkëpunuar me trafikantët. “Janë 4 ministra dhe 3 kryetarë bashkie”, tha Çollaku, duke paralajmëruar se PD do t'i paraqesë provat në janar. 

Ndërsa për analistin Ilir Yzeiri, keqqeverisja që pasoi ishte e pashmangshme në një situatë kur shqiptarët dilnin nga një sistem shtypjeje të paprecedentë. “Në vitet 91-92 shqiptarët u marrosën pas fitimit, shpërthyen trafiqet. Ne s’kemi lidhje me demokracinë, ne kemi kaluar nga monarkia në diktaturë. Në ‘97 lemerisëm dynjanë dhe për atë kemi përgjegjësi që të gjithë. Aty pastaj e kuptuam se demokracia do të thotë në radhë të parë ligj. Në ‘90 ne thjesht zgjodhëm modelin e përmbytjes”, tha Yzeiri.

Edhe Oketa tha se, “nuk mund të pretendosh që të rinj 20-23 vjeç të merrnin përsipër të qeverisnin vendin”. Të larguarit pastaj, tha ai, braktisën vendin për arsye të ndryshme. 

G.F / Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?