“Ofelia me mjekër”, letërsia
si ankth i modernitetit

8 Dhjetor 2013, 05:35| Përditesimi:

  • Share
TIRANE-Libri “Ofelia me mjekër”, i shkrimtarit të njohur Moikom Zeqo, publikuar nga Shtëpia botuese “Morava”, Tiranë, 2013, është një vepër që bën pjesë në kolanën ku përfshihen librat “Refuzimi i shkrimit”( Dituria, 2010 )dhe “Vetullat hyjnore” (Bota shqiptare, 2012). Në librat e lartpërmendur ka proza të shkurtra që i përkasin eseistikes dhe trillimit letrar. Kjo gjë përbën një veçori origjinale të prozës së Moikom Zeqos, një risi të spikatur, me të cilën e pasuron prozën shqiptare, sidomos atë që thyen kufijtë e tradicionalizmit e të  provincializmit. Libri “Ofelia me mjekër” ka si nëntitull “Proza e të jetuarit së prapthi”. Konkretisht, në këtë libër, ai ka sintetizuar shqetësimet e tij të mëdha për bashkëkohësinë dhe ekzistencën njerëzore, të rrezikuar nga tjetërsimet e pafundme.

Pse tjetërsimi na bën të jetojmë së prapthi? A mundet të vazhdohet përjetësisht kështu? Boshti konceptual i librit qëndron te raporti kontradiktor dhe paradoksal midis reales dhe virtuales. Bota sa vjen dhe bëhet më virtuale. Bota e internetit dhe e kibernetikës po klonojnë qenie të kufizuara në rrafshin virtual, duke iu larguar esencës humaniste. Ky qytetërim teknologjik rrezikon identitetin e njeriut dhe ngjan si një apokalips i vërtetë. Jo më kot, Zeqo i referohet filozofit francez Jean Baudriallare dhe tezës së tij se postmoderniteti e ka shndërruar botën në një Simulacrum (kopie e kopieve). Si do të jetë e ardhmja?  A do të kemi një njerëzim të vërtetë apo një njerëzim të klonuar? Libri i Zeqos përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve ekzistenciale.

Libri ka një erudicion të madh që nuk është një qëllim në vetvete, por premisë për të bërë sinteza. Zeqo thotë se Google-i është një informacion pa inventar dhe  shterp. Aftësia për të bërë sinteza është mrekullia e intelektit pra e shkrimntarit, e mendimtarit, e krijuesit. Libri “Ofelia me mjekër” ka një substancë shqiptare dhe universale. Të bëjnë përshtypje shkrimet për Gjon Buzukun dhe Migjenin, Konicën dhe shumë subjekte shqiptare të mesjetës, ku ka zbulime të reja dhe këndvështrime befasuese. Libri ka ankthin e modernitetit, subjektet i ndërthurur, i shndërron ne një subjekt të vetëm, sipas një kontrapukti të stilit elegant dhe tejet zhdërvjelljes, ku informacioni farfurin plot befasira të çuditshme. Duke aktivizuar mendimin kriticist dhe kërkues.
 
Simbolika e Ofelisë me mjekër
Në pamje të parë, tregimi “Ofelia me mjekër” duket shumë i ndërlikuar. Ofelia si personazh shekspirian është një ikonë e letërsisë botërore, tashmë klasike. Tek Ofelia, Zeqo ndërthur e koncentron shumë simbolika dhe bën një teori të personazhit në përgjithësi. Tek Ofelia është dhe mjekra e Krishtit dhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut, është sakrifica e Teutës ilire, por edhe Ajnshtajni. Kjo do të thotë se një personazh mund të krijojë afërsi dhe simbolikë me të gjitha personazhet, sepse njeriu dhe njerëzimi është vetë Ofelia me mjekër dhe pa mjekër.

Pra, esenca e librit qëndron te çështja se a është e ardhmja e njeriut realizimi i tij si njeri, apo degradimi i tij, apokalipsi i tij moral, biologjik e shoqëror. Për këto arsye, mendoj se libri “Ofelia me mjekër” përfaqëson një risi në krijimtarinë e Zeqos dhe të letrave shqipe dhe si i tillë meriton të përkthehet në gjuhët e popujve fqinjë dhe të Europës. Sepse e meriton.
 * Poet, shkrimtar e studiues i letërsisë.
 

Shkrimi u publikua sot (08.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?