“Nata e bardhë”, Tirana
shuan etjen për art!

30 Nëntor 2013, 05:44| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Ndërsa “Nata e bardhë” po pushtonte kryeqytetin, grupe njerëzish përshkojnë bulevardin kryesor pa u ngutur, në qetësinë dhe paqe me ëndërritjet e ndikuara prej dritave të ndezura dhe tingujve të muzikës. Bulevardi i madh i kishte bashkuar të gjithë drejt një feste të paharrueshme, fëmijë, të rinj, të moshuar, grupe familjare. Sipari u hap ndër institucionet e kulturës me spektakle, muzikë, filma dhe ekspozita në orën 18.00. Pas kësaj ore protagonistë të shfaqjeve dhe shikues ishin përfshirë në një valë entuziaste emocionesh. Ndërsa tre-katër orët e para ikën pa u kuptuar, adrenalina po rritej bashkë më dëshirën për të festuar deri në orët e vona. Dhe ashtu u bë.

Jo të gjithë banorët e kryeqytetit kanë mundësi të paguajnë për të shijuar muzikën e bareve të natës dhe pub-ve në uikende, ndaj shumica prej tyre shprehen se janë shumë të kënaqur nga mënyra e organizimit. Këtë herë u është dhuruar gratis një natë spektakolare. Numri i njerëzve që dilnin nga banesat e tyre në rrugë po shtohej. Për të gjitha spektaklet e organizuara në hapësirat publike nga ora në orë audienca po rritej.

Një pjesë e publikut vërshonte drejt ish-Bllokut. Zona e Bllokut si zona me e preferuar nga të rinjtë është pushtuar nga tingujt e këngëve më të dëgjuara të DJ-ve të njohur. Artistët luanin në skena të improvizuara dhe shikuesit shtoheshin nga ora në orë. Pranë Kuvendit një grup të rinjsh performonin live me kitarat e tyre, këngë të njohura të muzikës botërore. Rreth 6 orë ka zgjatur koncerti në Urën e Madhe të Bulevardit, ku kanë interpretuar grupe muzikore të të rinjve, por edhe grupe të njohura të muzikës folklorike shqiptare.
 
Tirana e frymëzuar nga liria e dialogut me artin
Më këtë rikthim të Natës së Bardhë, Tirana dukej e frymëzuar nga liria e dialogut me artin. Disa gjimnaziste e gjimnazistë të talentuar po recitonin në hollin e Teatrit Kombëtar poezi të poetëve, dhe ndërsa prezantoheshin rrëfenin edhe se çfarë kostumi simbolik kishin veshur posaçërisht për këtë natë spektakolare. Ata kishin veshur kostumet e aktorëve të njohur në premierat më të bukura që ka krijuar prej vitesh Teatri Kombëtar. Një ide e bukur: “dy shfaqje në një”, pra shijohej edhe recitimi, edhe ekspozita e vlerave të Teatrit Kombëtar në vite nga audienca.

Ndërsa ekranet në hollin e Teatrit Kombëtar ofronin komedinë “Karnavalet e Korçës”, kishte prindër që me nostalgji u tregonin fëmijëve të tyre për aktorët që po riktheheshin në sytë e publikut me veprat e arshivuara në ekran. Ja, aktorja e madhe Violeta Manushi, me atë të qeshur të jashtëzakonshme në rol, Drita Pelingu që spikat me atë vështrim të mençur, Roland Trebicka me atë profil të pasur aktoresk. Të tre aktorët sot nuk janë më, ndaj të detyronin të rrije me sytë ngulur në ekran, ndërsa spektakle të tjera të tundonin që të shkoje më tej.

Pati vizitorë të shumtë në Galerinë Kombëtare, në Teatrin e Operës gjithashtu, në Teatrin e Komedisë, në Teatrin e Kukullave, në Cirkun Kombëtar, etj. Shikonin dhe komentonin, disa shijonin gjithçka në heshtje. Kishte megjithatë diçka që spikaste në këto spektakle midis artit që ofrohej dhe kulturës sesi shijohej: Publiku shqiptar nuk është indiferent ndaj artist dhe kulturës, përkundrazi është i dëshiruar. 
 
 
Një ekspozitë retrospektive në Teatrin e Operës
Në hollin e Tetarit Kombëtar të Operës dhe Baletit pranë një ekspozite retrospektive gjejmë pikërisht kuratorin e saj Nikolin Gurakuqin, i cili jo shumë kohë më parë kishte treguar me keqardhje se opera vitet e fundit “ishte zhveshur” nga vlerat muzeore të saj. Nikolin Gurakuqi thotë “se përvjetorët shërbejnë edhe si reflektim mbi punën e bërë. Kanë kaluar plot 60 vjet, që nga themelimi i institucionit të parë të muzikës klasike, operës dhe ne duhet t’i kthejmë në sallat e saj në formë muzeale të gjitha simbolet e atyre që krijuan traditën e muzikës klasike si dhe baletit”.

Ja, në hollin e Teatrit të Operës ndalesh për një kohë të gjatë dhe secili ndjek më vëmendje “udhëtimin fotografik”, që nis me operën e parë vënë në skenë në vitin 1953, “Rusalka” e interpretuar nga sopranoja Xhyzepina Kosturi.
Pak më tej ka pamje nga “Traviata” ku këndon sopranoja Marie Kraja, dhe udhëtimi përmes fotografive vazhdon për të ndalur te  shfaqjet deri në ditët tona.
“Objektet dekoruese të ambientit dhe veshjet e artistëve të ndryshëm ruhen prej gjysmë shekulli në rekuizitën e Teatrit të Operës dhe Baletit”, thotë regjisori Nikolin Gurakuqi. Ai na tregon sesi nga kjo gardërobë ka përzgjedhur veshjet më simbolike si fustani i famshëm i “Traviatës” së parë veshur nga Marie Kraja, për të vijuar me variantin e ri të Traviate të 1999-s, pikërisht fustani e kuq që e ka veshur Eva Golemi.

Si paradë vijnë edhe kostumet e operës “Toska”, kostumet mitike të  operës “Skënderbeu”. “Këto objekte të rralla i përkasin shfaqjeve të para të operave dhe baletit vënë në skenë. Pa këto elemente të rëndësishme, shfaqjet nuk mund të ndërtoheshin. Shumë prej objekteve janë pjesë dekoruese e skenës që tashmë ruhen si relike të çmuara”, thotë Gurakuqi, kuratori i kësaj ekspozite, i cili edhe vetë ka një karrierë të pasur në opera. Në stenda prej qelqi prezantohen edhe partiturat e para, shkruar nga mjeshtrit e operës. Njerëzit kalojnë aty dhe heshtin në nderim të gjithë atyre artistëve që i falën publikut emocione të veçanta me shfaqjet dhe premierat e klasikeve të mëdhenj të operës dhe baletit. 
 
Surpriza me jaz e rok tek Muzeu historik Kombëtar
Pavarësisht pranisë së armëve të Luftës së Dytë Botërore dhe shpatave të Mesjetës që ruhen në Muzeun Historik Kombëtar, ato nuk funksionojnë më si elementë butaforikë festimit të 29 Nëntorit, ditës së çlirimit. Festimet për Natën e Bardhë që i dedikohen kësaj feste janë përqendruar në Muzeun Historik Kombëtar me një mendësi të re, ku pati surpriza të ndryshme për rininë. Në ambientet e Muzeut Historik, në një prej sallave të tij, jepej një koncert nga banda muzikore e rrymës, rrok, dëgjoheshin tinguj jazi e rryma të tjera. Aktiviteti në Muzeun Historik është shoqëruar me shfaqjen e filmave falas me tematikë për festat e Nëntorit. Të gjitha sallat e Muzeut Kombëtar, që nga pavijonet e antikitetit e të Mesjetës deri tek ato që pasqyrojnë historinë e afërt, apo edhe tek salla e ekspozitave kanë qenë të hapura për vizitorët.
 
Shkrimi u publikua sot (30.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?