“Me kursin e saldimit, sigurova
punë të mirë në një fabrikë birre”

28 Prill 2016, 09:17| Përditesimi:

  • Share
Mentor Shyti punonte prej shumë vitesh në Greqi si saldator. 32 vjeçari nga Berati, thotë se e ka nisur këtë profesion që kur ishte ende fëmijë.
“Kam mësuar duke punuar dhe deri një vit më parë gjithçka dija e dija nga praktika. Por profesioni i saldatorit nuk është kaq i thjeshtë sa ç’mund të duket në pamje të parë. Ka profile pune në saldim, sidomos në profilin ku unë punoj (saldimet e rënda) që kërkojnë njohje po aq të mirë në teori sa edhe në praktikë. Për më tepër nuk mund të aplikosh për punë në një kompani serioze nëse nuk ke një diplomë”.
 
Mentori ka jetuar për shumë vite me rradhë në emigrim në Greqi dhe vetëm një vit më parë vendosi të shpërngulet në Shqipëri. Deri një vit më parë, kontakti i vetëm me Shqipërinë ishin të afërmit dhe mediat online, ku mësonte për ngjarjet dhe zhvillimet në atdhe.
Thotë se për herë të parë, lexoi për arsimin profesional në Shqipëri, i cili po merrte një zhvillim të menjëhershëm, në disa artikuj në “Shqiptarja.com”.
“E ndjek rregullisht këtë web faqe dhe kisha lexuar shumë intervista e informacione për njerëz që punonin në fusha të ndryshme e që arrinin suksese, që mbanin familjet me sipërmarrjet e tyre. E kisha menduar disa herw që të rikthehesha në Shqipëri, pasi situate në Greqi po shkonte drejt përkeqësimit. Por nuk kisha asgjë të sigurt për të ardhmen. Nuk dija nëse do të mund të gjeja punë apo jo…”

Mentori thotë se pyste vazhdimisht miqtë e tij për ndonjë mundësi punësimi, sikurse ndiqte edhe mediat për njoftime pune.
Në prill të vitit të shkuar thotë se ndoqi në A1 Report një intervistë që e shtyu të ndërmerrte një hap që as e kishte menduar më parë: të shkollohej e të merrte një diplomë në profesionin  që ushtronte prej vitesh.

“Pashë në televizion, një intervistë të drejtorit të DRFPP 4 (Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional në Tiranë), Piro Jani, i cili fliste për profilet e ndryshme në arsimin profesional që ofronte kjo shkollë dhe mundësitë e shumta në tregun e punës për të rinjtë që zgjedhin zanatet. Mendova të zhvilloj më tej njohuritë e profesionit tim dhe të pajisem me një diplomë, ç’ka më mungonte gjatë punës në Greqi”, thotë Mentori, ndërsa shpjegon se nga kjo shtysë, dhe deri tek nisja e kursit nuk kaluan veçse pak javë.
 
“Aplikova  dhe u regjistrova në këtë shkollë, në profilin “Saldim” dhe kam ndjekur katër kategoritë që ofroheshin në këtë kurs profesional me profesorin tim Agim Rrapushi, një profesionist i vërtetë, shumë i përgatitur”.
Mentori thotë se njohuritë që ka marrë në shkollë e ndihmuan shumë gjatë intervistimit  dhe provave kur i ofruan punën e parë në një prej fabrikave më të njohura të birrës në Shqipëri. 
“I kalova me sukses të gjithë provat me inxhinierin mekanik të fabrikës dhe prej gjashtë muajsh që punoj në atë fabrikë, kam marrë vlerësime pozitive për punën që bëj”.
Sa i takon tregut të punës, Mentori thotë se në saldimet e rënda, (në çisternat e naftës, tubacionet, etj), që është edhe profili i tij, ka mjaft kërkesa për punë dhe e sheh me optimizëm të ardhmen, edhe pse niveli i pagave në Shqipëri krahasur me Greqinë ku punonte vite më parë është më i ulët.   

saldatori



Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?