“Fausti prej Tirane” Ja kush është
Mefistoja i Stefan Çapalikut

1 Dhjetor 2013, 05:26| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Monodrama “Fausti prej Tirane” e dramaturgut Stefan Çapaliku shpreh dramën e brezit të intelektualëve të viteve ’80 në Europën e bllokut socialist dhe në vitet ’90 në Shqipëri, që i ishin përkushtuar rrëzimit të komunizmit të nxitur nga ideja e çlirimit nga prangat e diktaturës totalitare. Në të vërtetë, kjo monodramë artikulon, nga perspektiva e prapavështrimit, rrugën e rrëzimit të diktaturës, situatat e skajshme ekzistenciale të shoqërisë shqiptare në fazën e tranzicionit postkomunist.

Artikulon, me tone të ironisë dramatike, me tone të një sarkazmi moral, frustracionet e shumta sociopolitike dhe morale të njeriut në situatën e paradokseve politike të luftës së klasës politike për pushtet e për shtet. Në këtë kontekst vërejmë dramën e shumëfishtë të intelektualit, i cili, në një fazë të caktuar të zhvillimeve jetësore, i lodhur nga jeta dhe kundërshtitë e saj, ndalet dhe bënë bilancin e jetës, arritjet dhe dështimet individuale, e të shtresës së tij intelektuale.

Dramaturgu Stefan Çapaliku në monodramën “Fausti prej Tirane” e ka fiksuar procesin e zhgënjimit në fazat kulmore të zhvillimit të tij; procesin e dëshpërimit, të luhatjeve, të përpëlitjeve dhe të zhgënjimit të personazhit të tij. Duke  e parë këtë proces në rrafshe dhe nga këndvështrime të ndryshme, ia ka dalë që botën e trazuar të individit si intelektual ta projektojë dhe artikulojë më gjerë; si një botë e cila tejkalon rrafshin e personales apo të individuales dhe që, së këndejmi, të shënjojë dukurinë, fenomenin shoqëror e politik. E, së këndejmi, duke artikuluar dinamikën e paradokseve të brendshme shpirtërore e morale të individit, të artikulojë dinamikën e paradokseve socio-politike në një kontekst të gjerë të zhvillimeve të brezit politik e intelektual.
 
Monodrama si një rrëfim para vetvetes
Monodrama “Fausti prej Tirane” është projektuar si një rrëfim para vetvetes, si kujtim dhe rikujtim, si një argument e kundrargument, që e gërryen së brendshmi intelektualin në një situatë ekstreme të ekzistencës së tij sociale, morale e psikologjike. “Fausti prej Tirane” është projektuar dhe artikulohet në formë të një monologu sui generis, i cili shqipton dhe i bënë jehonë gjendjeve të realitetit psikik të personazhit të tij, i cili realitetin e jashtëm të introjektuar, të përbrendësuar, të shtresëzuar në botën e tij të brendshme, e përjashtëson, e eksternalizon dhe, kësaj rruge, me gjuhën e shenjave skenike e dramaturgjike, mbi të gjitha me gjuhën teatrore të aktorit të madh Alfred Trebicka, ia del që në skenë të artikulojë dramën morale dhe psikologjike të Faustit tiranas, që, i përkushtuar pas sendërtimit të ëndrrës së tij jetësore, bënë paktin me Mefistofelin, me politikën, dhe i dhuron gjithë potencialin, gjithë energjinë e tij ëndrrës politike të demokratizimit të individit e të shoqërisë, të ndërtimit dhe të normalizimit të një shoqërie.

Dhe, ky personazh, ky njeri i cili i kishte besuar ëndrrës së tij politike, utopisë së tij politike e sociale, goditet dhe lëndohet nga trauma e tranzicionit të egër sociopolitik dhe, i goditur sistematikisht nga modalitetet e ndryshme të dhunës shpirtërore, morale e politike, ai shtyhet në tehun e ekzistencës dhe pushtohet nga gjendja e agonisë morale, psikologjike e shoqërore. Unë besoj se autori i monodramës në këtë frymë e ka projektuar paralelen me Faustin e Gëtes dhe Mefistoja i Çapalikut është Politika, pakti me djallëzitë e saj, politika të cilës i kishte falur gjithçka Fausti prej Tirane dhe pas pothuajse një çerek shekulli nga pakti me të ka bie në gjendjen e një agonie shpirtërore e psikologjike.

Fausti prej Tirane përpëlitet para aktit të vetëvrasjes, e cila me kthetrat e saj është duke i trokitur në dyert e ekzistencës së tij, të ekzistencës së tij paradoksale, që është shpënë në skajin e saj dhe ndodhet midis të qenies këndej, me jetën këndej, me fiziken e jetës që është rutinizuar e zhvillohet në shenjë vegjetimi, ose andej, me vdekjen, me metafizikën e saj, që, me ftohtësinë e saj morbide, terrorizon shpirtin e intelektualit dhe e mbanë në tiraninë e brendshme të agonisë psikologjike.

Trebicka, bashkëregjisor e aktor
Realiteti i monodramës “Fausti prej Tirane” projektohet dhe artikulohet si realitet dramaturgjik, i cili ndërtohet mbi pluralitetin e shenjave dhe të mekanizmave teatrore, në mesin e të cilave rol qendror luan loja aktoriale e artistit Alfred Trebicka, i cili e ka sintetizuar potencën e tij krijuese si regjisor e aktor dhe të dramaturgut e të regjisorit Çapaliku dhe ia ka dalë të pushtojë estetikisht personazhin e Faustit të kësaj monodrame. Fund e krye gjatë kësaj shfaqjeje hetohet një zotërim inteligjent i rolit, një maturi në gjestin dhe në artikulimin, qoftë atë trupor, qoftë atë fjalësor.

Në të vërtetë, jo vetëm hetohet fillimisht, por ajo qasje inteligjente e Alfred Trebickës shprehet te preokupimi, meditimi, mishërimi i veçantë i personazhit i bërë me një shkathtësi të alternimit të mekanizmit të identifikimit dhe të distancimit artistik. Pra, kjo qasje inteligjente e kreative gjatë zhvillimit të monodramës qartësohet dhe shfaqet në gjithë pasurinë e saj dhe arrin që në kombinim, kryesisht fatlum, me shenjat e tjera dramaturgjike e teatrore, të krijojë një imazh autentik skenik, i cili e shënjon gjendjen e një kohe dhe të individit, të brezit dhe të paradokseve të tyre.
 
Simbolika e arkivolit dhe skenografia
Para se të përmbyllë vëzhgimet lidhur me “Faustin prej Tirane”, dua ta vlerësojë lart gjetjen skenike e dramaturgjike me arkivolin; shenjë teatrore që i bënë jehonë gjendjes së realitetit të brendshëm të personazhit, agonisë së tij dhe realitetit të jashtëm të shoqërisë shqiptare e viktimave të saj. Po ashtu, inkuadrimi i ritualit të gjamës së burrave para kufomës, si projeksion, imponon me imazhet e tij, por, në planin e imazhit akustik, nuk e di nëse për arsye teknike apo të tjera, sikur ia zë frymën komunikimit apo mallkimit të personazhit me njerëzit e gjamës dhe komunikimit me publikun.

Këtu, po ashtu, do të doja të theksoj edhe një gjetje artistike, e cila nuk e lëndon konceptin e monodramës me gjithë praninë fizike edhe të Mefistos e të Margaretës: këta dy personazhe, Mefistofeli (Besmir Haliti) dhe Margarita (Julinda Emini), përgjatë artikulimit dhe përjetimit të agonisë shpirtërore të Faustit tiranas, janë projektuar si produkte të mendjes, të imagjinatës, si pjesë të realitetit psikik, i cili shpaloset para shpirtit të trazuar e shfaqet edhe para nesh, duke e pasuruar imazhin akustik dhe vizual të dramës shpirtërore e morale të Faustit, e cila, bashkë me lojën e dritave dhe me fikjen, errësimin përfundimtar në skenë si dhe me akustikën inventive të krijuar nga Agron Shala, thellohet dhe ia del të ndërtoj një imazh infernal, skëterrik.
 
Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?