“Art in Food”, qendra ku të rinjtë
​ për 9 muaj bëhen kuzhinierë

2 Qershor 2016, 08:18| Përditesimi:

  • Share
“Art in Food”, është një iniciativë shumë e rëndësishme sepse nxit profesionet por edhe punësimin. Kjo ka të bëjë, le të themi, me zinxhirin e duhur dhe me atë mënyrën e duhur se si duhet të funksionojë një profesion dhe punësimi pas kualifikimit. Me Asim Prengëzajn, në qendrën “Art in fond” do të zbulojmë më tepër se si funksionon ky zinxhir.
 
Faleminderit që pranuat të na kushtoni pak minuta kohë. Do të kisha dëshirë jo vetëm unë, por edhe shikuesit tanë, të na jepnit një informacion më të zgjeruar për sa i përket mënyrës se si funksionon qendra “Art in Food” dhe se si nxitet punësimi.
Atëherë, “Art in Food” është një pjesë e Shoqatës së Ushqimit dhe të Mirëqenies, e cila ka dy vite që ushtron veprimtarinë e saj në territorin e Shqipërisë dhe më tej. Qëllimi i shoqatës është pak më larg se sa vetëm pjesa e kulinarisë, ku “Art in Food” mbulon 9 profesione. Ne kemi aktivitet të shtrirë edhe në pjesën e prodhuesve, të fermerëve, të artizanëve pse jo, dhe deri në artikujt mbështetës të restoranteve.
 
Në fakt interesi në hapësirën e sotme ka të bëjë me gatimin. Do të doja të përqendroheshim këtu.
Patjetër. Atëherë, kursi ynë është 9-mujor. Është një program i detajuar dhe komplet. 3 muajt e parë nevojiten për të marrë bazat fillestare të kuzhinës. Pastaj, pas kësaj kohe ne jemi përpjekur tek anëtarët tanë, të cilat janë restorante me emër në kryeqytet, të dërgojmë kursantët tanë, qoftë për të bërë praktikën e mëtejshme, qoftë për të pasur dhe një kontratë pune pse jo, si ndihmëskuzhinierë fillimisht, që në marrëdhënien financiare ta ndihmojnë sadopak veten për të përballuar shpenzimet dhe jetesën në përgjithësi. Pas 9 muajve kursanti del kuzhinier dhe ka një punë të garantuar te klientët tanë. Gjatë kësaj kohe pastaj, bëhen edhe trajnimet e mëtejshme dhe kualifikimet me specialistë që sjellim pranë kësaj qendre.
 
Sa rezultat ka dhënë kjo mënyrë zgjidhjeje që në fakt është diçka shumë e mirë dhe shumë pozitive nga sa po dëgjojmë.
Rezultati ka qenë absolut. Përveç studentëve tanë ne kemi kërkuar bashkëpunim dhe kemi pasur bashkëpunim edhe me shkollat e tjera qoftë shtetërore, qoftë private, sepse kërkesa ka qenë shumë e lartë. Pra, kemi pasur më shumë kërkesa se sa produkt. Punësimi është i garantuar sepse te klientët ne ofrojmë menaxhim të jashtëm dhe asistencë. Pra, pjesa e parë e këtij plani janë burimet njerëzore të cilët duhet të jenë patjetër të kualifikuar dhe të certifikuar. Shpresojmë që në të ardhmen asnjë nga punonjësit që punojnë, të paktën në procesin e kulinarisë, të mos jenë të pacertifikuar.
 
Mënyra se si i referohen të rinjtë këtij profesioni, çfarë ju bën të mendoni. Si është interesi?
Duke qenë se restoracioni, po themi, dhe turizmi në përgjithësi është pika e vetme ku mbështetet rinia shqiptare, sepse deri tani, të jemi realistë, nuk është se ka shumë prodhim apo struktura industriale ku të punësohen njerëzit, pra rinia është e fokusuar në dy pika: ose në Call Center ose në hoteleri-turizëm. Ndoshta dhe nga nevoja për punë, pra që të kenë një kualifikim sa më të lartë, të kenë një bazë në dijet e tyre. Shumicën e studentëve ne i kemi me nga dy fakultete. Kanë mbaruar dy fakultete dhe nuk e kanë gjetur veten në punë, vijnë këtu, bëjnë kursin dhe automatikisht punësohen. Plus që pjesa e kuzhinës ku janë fokusuar më tepër është një punë që nuk njeh moshë, që nuk ka lidhje me anën fizike, dhe mund ta bëjnë të dyja gjinitë njësoj, prandaj ka një numër të madh të kërkesave. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe pjesa e furrave të bukës. Ne bëjmë një kurs shumë specifik për këtë pjesë sepse prodhimet e brumit kanë specifikën e vet. Nuk duhet lënë pas edhe pjesa e shërbimit sepse pa një shërbim të mirë në kuzhinë puna është e kotë. Pra, jemi përpjekur që ta kompletojmë këtë pjesë.
 
Ajo që na bën përshtypje është që interesi i çdo individi dhe i të rinjve në mënyrë të veçantë është që profesionin që përzgjedhin ose atë që kanë dëshirë ta kenë pjesë të rëndësishme të jetës së tyre, të jetë diçka jo momentale, jo e përkohshme, por e përhershme e jetës së tyre. Mendoni që po ia arrini kësaj?
Besoj se po. Ne kemi edhe një qendër në Shkodër dhe së shpejti do të kemi edhe në rrethet kryesore të Shqipërisë, duke qenë se është më e lehtë që të shkojmë ne atje se sa të vijnë ata këtu. Kemi pasur një grup ku kursantët ishin që të gjithë pjesëtarë të familjeve pronare të restoranteve. Ka pasur edhe nga ata prej këtyre kursantëve, që e duan shumë profesionin e kuzhinierit por nuk janë futur siç duhet në tipologjinë praktike të kuzhinës. Megjithatë, ne jemi përpjekur t’u themi që edhe nëse ata nuk do të bëhen vetë kuzhinierë, duke pasur njohuritë e duhura dhe duke qenë pronarë të këtij biznesi, do të dinë se çfarë t’i kërkojnë kuzhinierit të tyre. Pra, në njëfarë forme janë bërë menaxherë të mirë të restoranteve të tyre dhe po funksionojnë për mrekulli. Pra, nuk është e thënë që dikush që mbaron ciklin e plotë të shkollës këtu, duhet të bëhet patjetër kuzhinier ose kamerier. Mund të bëhet edhe një menaxher i mirë i këtij reparti.
 
Pra, t’i shërbejë biznesit edhe në një formë tjetër, aq më tepër kur kemi të bëjmë edhe me biznes familjar.
Patjetër. Ne kemi pasur raste edhe 3 veta të një familjeje që kanë mbaruar kursin te ne dhe sot drejtojnë një biznes shumë të lakmueshëm.
 
Programet nga i merrni dhe si i implementoni?
Programet janë hartuar nga Akademia e Kuzhinës Shqiptare. Kemi një zotëri të nderuar, i cili quhet Valer Lubonja, që i ka formuluar të gjitha tekstet. Pastaj normalisht që ato janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Punësimit dhe në bazë të këtyre është marrë edhe licenca për këto aktivitete. Janë programe të detajuara. Praktikisht, kursi 9-mujor që ne zhvillojmë këtu është 4 orë në ditë, për 5 ditë në javë. Pra një student zhvillon 802 orë mësimi që të pajiset me një certifikatë të njohur nga QKL-ja dhe nga Ministria e Punës.
 
Unë ju falënderoj shumë për të gjitha sa na thatë. Ne kemi dëshirë që t’i shohim edhe me sytë tanë rezultatet dhe produktivitetin e punës suaj si nga ata persona që kanë vite, që kanë pasion dhe dëshirë dhe që punojnë në këtë zanat, si nga ata të rinj që sapo kanë filluar ta aspirojnë. Ju urojmë shumë suksese!
Faleminderit edhe juve për këtë nismë që keni marrë dhe shpresoj që bashkëpunimi të jetë sa më i gjatë.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?