“Agon" çon Shqipërinë
në Shën Petërsburg

26 Prill 2013, 02:00| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Filmi shqiptar "Agon" i regjisorit Robert Budina do të përfaqësojë Shqipërinë në Ditët e Kinemasë Ballkanike gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Shën Petërsburg.

"Agon" është një histori integrimi mes popujsh me kultura e tradita të ndryshme, një histori që i bie kambanave të alarmit kur këta popuj priren nga paragjykimet në bashkëjetesën midis tyre, të gjitha këto pasqyrohen nëpërmjet dy historish dashurie të pamundura.

Filmi "Agon" u xhirua në Selanik të Greqisë, me një kast aktorësh grekë dhe shqiptarë dhe me një trupë të përzier teknike shqiptaro-greko-rumune.

Protagonistë në film janë Marvin Tafaj, Guljem Kotori, Xhevdet Jashari nga Maqedonia, Eglantina Cenomeri, Laert Vasili, Antonis Kafetzopulos dhe Isabella Kogevina nga Greqia, Nikolla Llambro, Hajrie Rondo dhe Ergys Çekrezi.

Filmi “Agon” tregon historinë e një familje shqiptare që integrohet në shoqërinë greke. Njëri prej personazheve Saimiri ka trashëguar nga familja e tij kujdesin që prindërit kanë për fëmijët, që vëllezërit dhe motrat e mëdhenj kanë për ata më të vegjël, kujdesin që pjesëtarët e saj kanë ndaj njëri-tjetrit.

Dikur familja shqiptare ka qenë shumë e fortë dhe e lidhur, vlera të cilat sot mungojnë në familjen perëndimore, ku shumë më tepër rëndësi merr individi se sa forca e familjes.

Duke qenë se babai i tyre (i Saimirit dhe Vinit) ka vdekur, Saimirit i është dashur të bëhet babai i vëllait të vogël dhe të kujdeset gjithmonë për të. Janë pikërisht këto veti të tij që kanë bërë përshtypje tek e dashura greke e Saimirit, Elektra, dhe babai i saj, Niko, i cili sheh tek Saimiri strehën e sigurt të vajzës së tij.

Ndaj dhe Saimiri, jo vetëm është integruar shpejt në Greqi, por dhe është mjaft i vlerësuar nga të gjithë shokët e miqtë që ka atje. Nuk është e njëjta gjë për Vinin, i cili duke qenë artist dhe adoleshent, pasi i vëllai ka ikur në Greqi ku po përpiqet të ndërtojë familjen e tij të re, ndihet i lënë pas dore.

Ai mendon se vjehrri i tij grek e tërheq prej hunde dhe i kontrollon jetën dhe që Saimiri për shkak të fejuarës se tij është servil ndaj vjehrrit dhe grekëve në përgjithësi. Këto e bëjnë të jetë i ftohtë ndaj familjes së re të Saimirit në Greqi dhe për rrjedhojë refuzon të integrohet në realitetin e tij të ri në Greqi.

Mesazhi për audiencat që shikojnë filmin “Agon” sipas Budinës është “Që shqiptarët nuk janë kriminelë, janë njerëz të sakrificave, të cilët kanë energji shumë pozitive brenda tyre; që kanë guxim të përballen edhe me fenomenet negative për të cilat kombe të tjera mbase me të drejtë i paragjykojnë; që familja për ta është gjëja më e shtrenjtë dhe për të cilën ata do të bënin sakrificat më të mëdha.”

Filmi i realizuar së fundi nga “ERAFILM”, me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, do të shfaqet gjatë periudhës 29 maj-2 qershor, kur do të shfaqen filma të ndryshëm nga nëntë vende të Ballkanit.

Filmi shqiptar i regjisorit Robert Budina do të marrë gjithashtu pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Chicago, në garën zyrtare të regjisorëve të rinj dhe do të ketë premierën në 18, 19 dhe 22 tetor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?