Sergei Lavrov

Lavrov vizitë në Beograd, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Mali i ZI bllokojnë hapësirën ajrore për ministrin rus

5 Qershor 2022, 18:38| Përditesimi: 5 Qershor 2022, 18:44

  • Share

Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë ndaluar fluturimin e avionit që ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov duhej të vizitonte nesër Beogradin, konfirmuan për Danas burime jozyrtare nga lidershipi shtetëror.
Në të njëjtën kohë, nga zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se nesër në orën 10 do të takohet me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko.
Siç ishte paralajmëruar më parë, kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse duhet të vizitojë Republikën e Serbisë më 6 dhe 7 qershor. Janë planifikuar takime me presidentin e atij vendi, ministrin e punëve të jashtme, kryetarin e Kuvendit Kombëtar dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe.
Kujtojmë se kryeministrja Ana Brnabiq deklaroi sot se situata rreth mbërritjes së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Beograd është “jashtëzakonisht e komplikuar” dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po merret me logjistikën e udhëtimit të tij.


“Është vërtet e pabesueshme që situata në Evropë dhe në botë është e tillë që presidenti i një vendi duhet të merret me gjëra të tilla si logjistika e udhëtimit të një ministri të jashtëm, e cila përcakton nëse ai do të vijë apo jo”, tha Brnabiq për Pink TV. dhe shtoi se kishte probleme me “mbi fluturimet”.


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë tha se vizita e ministrit rus Sergej Lavrov tashmë është planifikuar dhe se rezultati i vizitës është i pasigurt derisa të realizohet.

Ai shtoi se nuk përjashton që vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov në Beograd, mund të rrezikojë vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz.

E.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?