Kronikë

Largohen pas shumë vitesh tregtarët ambulantë nga plazhi i Durrësit! Protestë para bashkisë: Me këtë punë mbajmë familjen, na gjeni treg

7 Qershor 2021, 15:02| Përditesimi: 7 Qershor 2021, 15:27

  • Share

Shitësit ambulantë që kemi parë ndër vite  nuk do të lejohen më të tregtojnë përgjatë plazhit të Durrësit. Ata i ka larguar Policia Bashkiake në kuadër të aksionit për pastrimin e hapësirave publike.

Kësisoj këtë të hënë kanë protestuar përpara bashkisë së Durrësit, duke kërkuar tu gjendet një treg, pasi me këtë punë prej vitesh mbajnë familjet.

“Jam shtresë e varfër, në rreze të diellit, të tjerët nëpër lokale. Sot po vuaj në pikë të diellit, kush e di sikur jam duke u marrë më drogë. As kam ndihmë ekonomike, as pension”, shprehet një zonjë tregtare ambulante.

“Kalamanjtë tonë ku do hanë, ku do shkojmë ne. Unë marr fëmijën me vete e shkoj. Burrin e kam invalid. A e kuptoni sa problem është. Zvarrë duke i çuar karrocat. Jam me një veshkë. Thonë shko puno, ku të shkoj të punoj. Kam fëmijë të vogël, të mbaj burrin.Të shkoj të punoj se me 200 mijë lekë. Ça bëjnë, një muaj verë është”, shprehet një zonjë tjetër tregtare.

“Kemi 4-5 vjet shesim misra, nuk kemi njëri tjetër, vetëm unë me nusen jemi që punojmë. 100 mijë lekë drita na vijnë ku do i gjejmë lekët ne”, shprehet një tregtar ambulant.

“Detyrimet, çfarë i takon një biznesi ambulator siç jemi neve dhe të gjithë procedurat ligjore që na takojnë ne jemi të gatshëm të gjitha t’i paguajmë”, thotë tregtari ambulant.

“Për kërkesat që bëmë ne, Bashkia nuk na dha një përgjigje të plotë. I kërkuam që nëse është e nevojshme ne i paguajmë taksat, po duam dhe ne të punojmë se ne jemi qytetar, jemi banorë të Durrësit”, thotë një tregtar tjetër.

Bashkia e Durrësit ende nuk ka gati një plan për formalizimin e një tregu pranë plazhit të Durrësit, ndaj protestuesit janë shpërndarë pa marrë asnjë përgjigje.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?