Landfill në zonën turistike, sërish protestë në Piskovë të Përmetit! I bashkohen banorëve edhe demokratët Salianji dhe Bejko: Po vritet e ardhmja e zonës

29 Janar 2022, 18:31| Përditesimi: 29 Janar 2022, 21:42

  • Share

Banorët e fshatit Piskovë në Përmet kanë protestuar sot sërish kundër ndërtimit të vendit të grumbullimit të plehrave në afërsi të fshatit të tyre. Në përkrahje të tyre sot ka qenë deputeti i PD dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PD Ervin Salianji dhe i deleguari i PD për Qarkun e Gjirokastrës Roland Bejko. Banorët e Piskovës kanë qenë kategorik në kërkesat e tyre që landfilli mos të ndërtohet në territorin e fshatit të tyre aq më tepër në një zonë të mbrojtur siç është Bredhi i Hotovës pasi krijon impakt negativ në mjedisin turistik dhe parkut natyror të Bredhit te Hotovës.

"Duan të na sjellin plehrat. E kemi bërë problem disa herë. Kemi kërkuar takim edhe kryetaren e bashkisë dhe nuk na ka takuar. Edhe ministrja Kumbaro nuk na ka takuar. Këtu është vend i papërshtatshëm", thotë një banor.

"500 metra më poshtë është pusi i ujit të pijshëm. Tani e kanë mbushur gropën se u doli uji, e kanë ngritur anash që të justifikojnë veten e tyre. Bashkia ta rishikojë vendimin", tha një tjetër.

Deputeti Ervin Salianji ka qenë i ashpër në deklaratën e tij për këtë çështje pasi ka përmendur se kjo çështje do të bëhet problem nga PD dhe do t’i dërgohet për ndjekje të mëtejshme SPAK pasi bëhet fjalë për një procedurë që bie ndesh me vullnetin e banorëve dhe që dëmton mjedisin në zonën e mbrojtur.

'Pavarësisht temperaturave të acarta, ne u japim zë qytetarëve kudo ku ata kanë një shqetësim. Është hyrja e parkut kombëtar të 'Bredhit të Hotovës'. Por duke qenë se është larg qeveria ka menduar se mund të vjedhë me një landfill. Helmon banorët në këtë zonë. Asnjë mendim nuk i është marrë banorëve të zonës", tha Salianji.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe i deleguari i kryesisë së PD për Qarkun e Gjirokastrës Roland Bejko i cili nga ana e tij ka theksuar se PD do të kërkojë me ngulm ndalimin e këtij projekti që dëmton mjedisin dhe krijon probleme serioze në mirëqenien shëndetësore të banorëve të Piskovës.

"Jemi në mbështetje të banorëve të Piskovës dhe rrethinave. Kjo është vepër e përmasave kriminale pasi janë shkëlur një sërë ligjesh. Është vrarë perspektiva e zonës pasi e vetmja mënyrë zhvillimi këtu është turizmi. Dhe kjo zonë ka perspektivë shumë të madhe turistike. Banorët nuk janë pyetur", u shpreh  Bejko.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?