Lamtumira e një ikone/ Të afërm, dashamirës, politikanë dhe përfaqësues të sportit homazhe për Teodor Vason

18 Mars, 15:43| Përditesimi: 18 Mars, 16:05

  • Share

Janë mbajtur sot në Katedralen e Korçës homazhet për Teodor Vason, ish-futbollistin e disa klubeve në Shqipëri si Skënderbeu, Tirana, Partizani e Dinamo, por edhe e ekipit kombëtar, i cili ndërroi jetë të dielën në moshën 82-vjeçare. Ish-futbollistë, trajnerë, dashamirës e përfaqësues klubesh dhe futbollit shqiptar morën pjesë për të shprehur ngushëllimet e tyre.

“Humbja është jashtëzakonisht e thellë, jo vetëm për ne, miqtë e tij, por për të gjithë qytetin dhe në planin më të gjërë edhe për të gjithë Shqipërinë,”-u shpreh Dhimtraq Xhambazi, ish-futbollist.

“Në të gjitha aspektet e punës së tij, kudo që ka jetuar, ai ka krijuar një marrëdhënie shumë të mirë me njerëzit sepse i tillë ishte Teodor Vaso,”-tha Robert Çingo, trajner.

“Teodor Vaso është simbol. Është emri symbol i Korçës, por edhe i të gjithë futbollit shqiptar. Njeriu që i dha gjithçka familjes së madhe të futbollit, qytetit të tij, por edhe Shqipërisë sepse luajti me kombëtaren shqiptare,”-deklaroi Dëfrim Methasani, gazetar.

“Teodor Vaso legjendë e madhe e futbollit korçar por edhe e atij shqiptar. Mbaj mend të gjithë ecurinë e tij si sportist, por e kam njohur shumë edhe nga familja e tij e nderuar dhe e respektuar,”-u shpreh At Ilia Kotnani.

Për të nderuar figurën e Teodor Vasos nuk munguat as politikanët.

“Shpreh nderimin më të thellë për legjendën e futbollit korçar dhe kombëtar. Sot i bashkohet në përjetësi shokëve të tij të paharruar me të cilët la gjurmë të jashtëzakonshme në historinë e futbollit tonë si Panajot Pano, Ramazan Rragamit, Ali Mema, Josif Kazanxhi e Lin Shllaku,”-deklaroi Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë.

Teodor Vaso lindi në vitin 1941 dhe la gjurmë ta pashlyeshme në futbollin shqiptar, kryesisht me kombëtaren, teksa në vitin 1967 luajti i dëmtuar përballë Gjermanëve të Bekenbauerit dhe Hejnkesit, duke qëndruar i pakalueshëm dhe duke mos i lejuara ata të kualifikohen për në Botëror.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?