Qatip Osmani, trajner i Vllaznisë

Laçi i Cungut i viziton në Shkodër, Qatip Osmani: Duam dy vendet e para, garë në dy fronte

12 Prill, 12:55| Përditesimi: 12 Prill, 12:59

  • Share

Vllaznia - Laçi, kjo është ndeshja e javës së 31-të në Superligë që luhet nesër në 18:00 në "Loro Boriçi" të Shkodrës. Para ndeshjes për mediet foli trajneri i vendasve, Qatip Osmani. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut i ka idetë e qarta për suksesin, me shpresën për dy vendet e para në tabelë dhe zonën "Final 4" të sigurt.

Te Vllaznia shqetëson mbrojtësi fundor, pra reparti i portës. Ndërkohë që rikthehet Geralb Smajli.

"Koha për fitore? Ndeshja nesër është me rëndësi, na vjen një ekip që kohët e fundit ka rezultate të mira edhe lojë të mirë, megjithatë ne duam fitoren për të forcuar pozitat tona.

Partizani? Thamë para tyre që nuk duhet të humbisnim dhe ia dolëm. Edhe pse kanë mbetur gjashtë ndeshje, duhet kujdes sepse janë shumë pikë në lojë dhe nesër na duhet fitorja. Loja nuk i ngjan lojës, Laçi ka llogaritë e veta dhe janë në garë ku po kthehen këtë periudhë në rezultate.

Çdo pozicion ka përparësi në "Final 4" dhe ne do kemi interes për dy vendet e para. Kemi problem në portë, por besoj se do jemi të plotë. Kthimi i Smajlit na lehtëson, dihet se çfarë rëndësie ka për këtë ekip.

Sfidë kundër Cungut? Një ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri, u pa se ka futur në ekip frymë dhe filozofi të re për rezultate. Duke njohur mentalitetin e Shkodrës, ai ka një plus të madh.

Kampionati është interesant, nëse e analizojmë nuk ke të sigurt as kreun as mbijetesën. Kështu do shkojë deri në fund.

Kupa? Mendojmë edhe për këtë trofe. 'Luftojmë' në dy fronte dhe do mundohemi të kemi konkurrencë në dy garat", tha Qatip Osmani.

Pas 30 ndeshjeve, Vllaznia me 51 pikë mban vendin e dytë, ndërkohë që Laçi me 35 pikë pozicionohet në vendin e shtatë. Kujtojmë se katër vendet e para pas fundit të rregullt të sezonit do garojnë në "Final 4" për titullin kampion.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?